Site icon Telegrafi

Rritja e çmimit të naftës në Shqipëri, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet

Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës ka reaguar sot në lidhje me rritjen e ndjeshme dhe të menjëhershme të çmimit të hidrokarbureve në vend.

Në një njoftim për shtyp, autoriteti ka zbuluar se ka nisur një hetim paraprak që prej 25 shkurtit në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve naftë dhe benzinë në vend.

Në vijim të këtij hetimi, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se do të marrë çdo masë që i mundëson ligji për mbrojtjen e konkurrencës, për të goditur çdo fenomen që shtrembëron konkurrencën, nëse do verifikohen të tilla pas procedures hetimore.

Lexo po ashtu ​Protestë kundër rritjes së çmimit të naftës në Shqipëri

Megjithatë, autoriteti ka theksuar se shumica e autoriteteve të konkurrencës në botë, ndërmjet tyre edhe Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk janë projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete.

“Sidoqoftë, në botën moderne, ka fare pak autoritete konkurrence, të cilat janë ngarkuar nga ligji, e si rrjedhim, kanë edhe instrumente për të ndikuar mbi çmimet abuzive, kur ngritja e çmimeve nuk ka lidhje me konkurrencën”, ka shtuar autoriteti.

Çmimi i naftës në Shqipëri arriti një tjetër nivel rekord prej 260-270 lekësh [mbi 2 euro] për litër të mërkurën. /Telegrafi/

 

Exit mobile version