Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka reaguar sot pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se rritja e çmimit të energjisë është e pashmangshme.
Ai në një konferencë për media tha se fjalimi i Ramës, ishte “sa për të larë duart” ndërkohë që shqiptarët çdo ditë e më tepër po përballen me çmime më të larta.
“Shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Evropë, të karburantit dhe të energjisë. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë të menjëhershme qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo”, u shpreh Basha.
Më tej, kryetari Basha sugjeroi shtatë mënyra për të zgjidhur krizën ekonomike.
“Heqja e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti; ulja e TSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në Kuvendin e Shqipërisë; faturimi me çmime dhe sasinë reale të konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve; subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët; mirëmenaxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve, ristrukturim të buxhetit për t’u përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime. Më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve”, tha Basha.
Ndryshe, kryeministri Rama sot në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, pranoi se rritja e çmimit të energjisë që ka prekur gjithë Evropën, do të prekë dhe Shqipërinë dhe së shpejti do të përballen me çmime marramendëse.