Telegrafi

Rritja e çmimit të bukës thellon varfërinë

Sipas një njoftimi për media të FER-it, në një shtet të varfër si Kosova, ku 47 për qind e popullatës jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë dhe 18 për qind e popullatës jetojnë me më pak se 92 centë në ditë, rritja e tillë e çmimeve të bukës ka pasoja marramendëse për rritjen e shkallës së varfërisë.

“Kosova, me vite me radhë ka dështuar në politikat për zbutjen e varfërisë, e kësaj radhe po dështon edhe në parandalimin e rritjes së varfërisë. Mungesa e politikave afatgjate shtetërore në bujqësi dhe ekonomi ka ndikuar që sot të varemi kryekëput nga çmimet e importeve, edhe për produktet më strategjike siç janë drithërat”.

Sipas FER-it, aktualisht Kosova është një ndër shtetet e pakta në Evropë që nuk kanë politikë të rezervave shtetërore të ushqimit për produktet strategjike ushqimore, e që mund të ndikojnë në rritjen e shkallës së varfërisë.

“Partia Fryma e Re propozon që menjëherë të organizohet takimi me Shoqatën e Mullisëve të Kosovës dhe Shoqatën e Furrtarëve të Kosovë për të diskutuar daljen nga kriza, ndërsa në të njëjtën kohë të punohet sa më shpejtë në politikat afatgjate, që e mbrojnë Kosovën nga lëkundjet e mëdha të çmimeve të produkteve strategjike”, thuhet në komunikatën për media të kësaj partie joparlamentare. /Telegrafi/