Telegrafi

Rritja e çmimeve ka goditur Evropën – niveli më i lartë që nga viti 2008

Inflacioni vjetor në eurozonë u përshpejtua ndjeshëm në muajin tetor, duke arritur nivelin më të lartë në 13 vitet e fundit, i nxitur nga çmimet më të larta të energjisë. Këtë e tregojnë të dhënat e Eurostat.

Norma vjetore e inflacionit, e matur me indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit (IHÇK), u rrit në 4.1 për qind në muajin tetor, niveli më i lartë që nga korriku i vitit 2008, sipas përllogaritjeve të statisticienëve europianë. Në shtator ishte 3.4 për qind.

Duke përjashtuar luhatjet e çmimeve të energjisë, ushqimeve, alkoolit dhe produkteve të duhanit, ai ishte 2.1 për qind dhe ishte 0.2 pikë përqindje më i lartë se në muajin shtator.

Çmimet e energjisë u rritën më së shumti në muaj, me 23.5 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, pas një rritjeje prej 17.5 për qind në shtator.

Rritja e çmimeve të shërbimeve është gjithashtu e përshpejtuar, nga 1.7 për qind në shtator në 2.1 për qind në muajin tetor.

Çmimet e produkteve industriale u rritën me dy për qind, pothuajse në të njëjtin ritëm si në shtator, ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve të freskëta u ngadalësua, nga 2.6 në 1.4 për qind.

Ndër vendet anëtare të Eurozonës, rritjen më të fortë të çmimeve në raport me tetorin e kaluar shënuan Lituania dhe Estonia, përkatësisht me 8.2 dhe 7.4 për qind.

Në Gjermani, ekonomia më e madhe e Evropës, çmimet ishin 4.6 për qind më të larta në tetor se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të një baze të ulët krahasuese vitin e kaluar, kur qeveria uli përkohësisht normën e TVSH-së. /Telegrafi/