Site icon Telegrafi

“Rritja e buxhetit dhe e prodhimit të mbrojtjes, të nevojshme për sigurinë e Evropës”, deklaron shefi i NATO-s

“Rritja e buxheteve evropiane të mbrojtjes dhe rritja e prodhimit në industrinë e pajisjeve ushtarake janë të nevojshme për të siguruar Evropën”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.

“Ne do të duhet të shpenzojmë më shumë për të mbajtur veten të sigurt”, i tha Rutte gazetës gjermane Welt am Sonntag (WamS).

“Por ne gjithashtu duhet të rrisim shpejt prodhimin tonë të mbrojtjes në të dy anët e Atlantikut…për një kohë të gjatë, ne kemi prodhuar shumë pak”, shtoi shefi i NATO-s.

Bëhet e ditur se Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) përfshin pjesën më të madhe të Evropës dhe gjithashtu SHBA-në dhe Kanadanë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Duhen municione, anije, tanke, aeroplanë, por edhe satelitë dhe dronë”, tha Rutte.

Vendet evropiane po nxitojnë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të ruajnë mbështetjen për Ukrainën pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ngriu ndihmën ushtarake për Kievin dhe ngriti dyshime për angazhimin e Uashingtonit ndaj aleatëve evropianë.

Udhëheqësit e BE-së kanë mbajtur takime lidhur me sigurinë e kontinentit, ku diskutuan për zgjerimin e shpenzimeve të mbrojtjes, përtej kufijve të rreptë të buxhetit për sektorë të tjerë.

Rutte tha se ai ishte takuar me shumë krerë të kompanive prodhuese të mbrojtjes dhe u kërkoi atyre t’i përgjigjen kërkesës më të madhe. /Telegrafi/

Exit mobile version