Site icon Telegrafi

Rritja e asit argjentinas, Emiliano Martinez: Në vitin 2014 bënte skarë, në vitin 2018 bënte tifo, në 2022 në finalen e Kupës së Botës

Një nga heronjtë e Argjentinës në rrugën për në finalen e Kupës së Botës në Katar ishte portieri 30-vjeçar Emiliano Martinez.

Ai u dallua veçanërisht në ndeshjen çerekfinale me holandezët, ku priti dy goditje. Martinez foli në konferencë për shtyp pak para finales së madhe kundër Francës.

“Kurrë nuk më pëlqen që njerëzit thonë se jemi favoritë. Ne nuk ndihemi sikur jemi superiorë as e kundërta. Unë gjithmonë them se avantazhi ynë është se kemi lojtarin më të mirë në botë (Lionel Messi). Mendova se nuk do ta shihja kurrë një lojtar më të mirë se Messi në Copa America 2021, por në këtë Botëror ai është edhe më i mirë”, ka thënë fillimisht ai.

Martinez shpjegon se si i ka parë botëroret e kaluar

Martinez bëri debutimin e tij për kombëtaren argjentinase vetëm vitin e kaluar. Ai ishte lojtar i Arsenalit për një kohë të gjatë, që nga viti 2010, por vazhdimisht ishte i huazuar në ligat e ulëta angleze.

Martinez kaloi tre sezonet e fundit në Aston Villa dhe u kthye në një nga portierët më të mirë në Ligën Premier.

“Gjatë finales së Kupës së Botës në 2014, po përgatisja skarë për familjen time”, tregon Martinez për eventin e para tetë vitesh kur Argjentina luante në finale.

Pas katër vitesh ai kishte udhëtuar për në Rusi, ku Argjentina u eliminua nga Franca.

“Në Rusi 2018 isha në tribunë me vëllain tim dhe i thashë se do të jem në finalet e ardhshme”, kujton Martinez.

Në fund ai u ndal edhe tek fakti që qëndron gjatë me tifozët për të nënshkruar fanellat e tyre, duke e shpjeguar pse e bën këtë gjë.

“Më pëlqen. Unë nuk kam lindur në djep të artë. Nëse 50 ose 100 njerëz duan që unë të firmos fanellën e tyre, unë do t’i nënshkruaj të gjitha. Unë jam një luftëtar dhe e di se sa shumë do të thotë për ta”, deklaroi ai.

Argjentina dhe Franca luajnë të dielën finalen e madhe për Kupën e Botës nga ora 16:00. /Telegrafi/

 


Exit mobile version