Dhjetëra prodhues nga Kosova, kanë ekspozuar e promovuar prodhimet e tyre para qytetarëve në hotelin Grand të kryeqytetit. Ky aktivitete realizohet në kuadër të manifestimit “Javët e Biznesit Kosovar 2014”, të organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve me sloganin “Unë konsumojë prodhime vendore, po Ju, bojkoti prodhimet e huaja”.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se me projektin “Javët e Biznesit Kosovar”, kemi realizuar përpjekjet tona për të rritur vetëdijen kombëtare për konsumim të prodhimeve vendore. “Duke konsumuar prodhimet vendore, të gjithë bëhemi pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, i cili zhvillim po mungon, por përpjekjet e prodhuesve nuk kanë munguar për zhvillimin ekonomik”, tha Shahini.
Ai shtoi se angazhimi i prodhuesve për zhvillimin ekonomik tregon se kanë shpirt ndërmarrës për të zhvilluar bizneset e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune. “Mbi 50 kompani prodhuese me mbi katër mijë lloj prodhimesh por promovohen për të mirën e shtetit dhe të të tjerëve dhe këto prodhime janë të cilësisë së lartë dhe të cilat me plotë sukses po eksportojnë edhe në vende të ndryshme”, tha Agim Shahini
Ai kërkoi nga qytetarët e vendit që të konsumojnë prodhimet shqiptare dhe të zëvendësojnë ato të huajat sidomos prodhimet serbe. Kjo duhet të rritet sidomos pas dhunës që u ushtrua ndaj futbollistëve shqiptarë nga serbët”, tha Shahini.
Ramadan Hasani, zëvendës ministër i Zhvillimit Ekonomik në detyrë, tha se promovimi i prodhimeve vendore, ka rëndësi të madhe për të gjithë, jo vetëm për biznesin, por edhe për popullatën. Ai tha se nuk është i kënaqur me gjendjen jo të mirë të e bizneseve e qytetarëve.
“Politika e aplikuara nga qeveritë e kaluara nuk kanë qenë të mira dhe të cilat do të duhej të ishin më të dobishme për prodhuesit. Nuk është bërë sa ka mundur të bëhet dhe fajtor për këtë jeni edhe ju prodhuesit”, tha Hasani.
Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agro Biznesit Shqiptar, kërkoi nga qytetarët shqiptar që të konsumojnë prodhimet shqiptare sepse janë të cilësisë së lartë dhe të cilat po konkurrojnë me plotë suksese edhe në tregjet evropiane e më gjerë. Prodhimet tona janë natyrale dhe pa pesticide e të tjera.
Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanovcit, tha se duhet konsumuar prodhimet vendore, sepse zhvillimi ekonomik është edhe patriotizëm sepse bëhen hapje të reja vende pune për shqiptarët dhe zhvillime kombëtare të cilat na shpijnë në rrugën e integrimeve evropiane.
“Integrimet evropiane nuk bëhen pa një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe pa stabilitet politik. Të gjithë që merren me biznes e politik të bëhen bashkë e fuqia bënë zhvillime”, tha Arfifi. /Telegrafi/