Eksportet dhe prodhimi industrial në Gjermani u rritën gjatë muajit Shtator, pas rënies së fortë muajin paraardhës.
Analistët mendojnë se këto të dhëna mund të ndihmojnë ekonominë më të madhe në Europë të shmangë recesionin në tremujorin e tretë të këtij viti. Eksportet u rritën me 5.5% gjatë shtatorit, pas rënies me 5.8% në gusht, që ishte performanca më e dobët mujore në 5 vitet e fundit. Gjithashtu, edhe importet u rritën me 5.4%, pas dy muajsh me radhë në rënie.
Duke i marrë se bashku edhe me të dhënat e prodhimit industrial, që u rrit me 1.4% në shtator, ekonomistët shprehen se Gjermania do të jetë rritur lehtë në tremujorin e tretë, pas kontraktimit me 0.2% në tremujorin e dytë. “Nuk ka arsye për të qënë të zhgënjyer. Nëse i marrim se bashku prodhimin industrial dhe eksportet, arrijmë në përfundimin se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rritet lehtë në tremujorin e tretë të vitit”, deklaroi analisti i Unicredit, Andreas Rees.
Ekonomia më e madhe në Europë pati një start të fuqishëm në fillim të vitit 2014, por u ngadalësua për shkak të krizave politike jashtë vendit dhe ngadalësimit të Eurozonës, që dëmtuan klimën e investimeve nga kompanitë gjermane. Disa analistë parashikojnë një kontraktim të Gjermanisë në tremujorin e dytë, megjithatë gjithçka do të zbulohet në datën 14 nëntor, kur do të publikohet të dhënat zyrtare të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Ndërkohë, edhe Franca ka shfaqur shenja të lehta rigjallërimi. Zyra e Statistikave deklaroi se prodhimi industrial mbeti i pandryshuar në Shtator, pas rënies me 0.2% në gusht./Telegrafi/