Telegrafi

Rritet shumë çmimi i arit

Ari është rritur në nivelet më të larta në dy vite pasi Rezerva Federale u përmbajt në rritjen e normave të interesit dhe ndërsa Janet Yellen sinjalizoi se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta për më gjatë.

Ndërsa bursat globale ranë dhe yieldet e titujve 10-vjeçarë në Japoni, Gjermani dhe SHBA gjithashtu, rritja është zhvendosur te metalet e çmuara dhe jeni japonez. Ari shënoi 1,309.8 dollarë për onz gjatë sesionit tregtar të së enjtes.

Metali i çmuar është rritur me thuajse 23% që prej fillimit të vitit, pasi rreziqet ekonomike dhe politike kanë bërë që investitorët ti drejtohen aktiveve që konsiderohen të sigurta dhe që nuk bartin interes.

Arsyet e rritjes së fundit ishin; vendimi për të mos ndërhyrë me normat e interesit në SHBA dhe Japoni si dhe shqetësimet për referendumin e Britanisë më datë 23 Qershor.

Sipas një sondazhi të agjencisë Bloomberg, ari do të rritet nëse britanikët votojnë për të dalë nga Bashkimi Europia dhe do të arrijë 1350 dollarë për onz brenda një jave. Nga ana tjetër, sipas sondazhit, nëse Britania qëndron, çmimet mund të tërhiqen në 1250 dollarë.

Investitorët e kanë rritur kërkesën për metalet e çmuara dhe investimet në fondet e listuara në bursë për arin kanë shënuar nivelin më të lartë që prej tetorit të 2013-ës. /Telegrafi/