Numri i qytetarëve që kanë dorëzuar kuponë fiskalë për të përfituar mjete nga procesi i rimbursimit, në tremujorin e parë të këtij viti është rritur për 34.59 për qind krahasuar me tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Sipas shifrave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për tre muajt e fundit të vitit të kaluar për rimbursim kishin aplikuar 127 mijë e 376 qytetarë, kurse për tre muajt e parë të këtij vitit kanë aplikuar 171 mijë e 436 qytetarë, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas të dhënave të ATK-së, që nga fillimi i procesit të rimbursimit, në prill të vitit të kaluar, numri i qytetarëve të interesuar për të përfituar nga ky proces ka shënuar rritje.
Ata kanë bërë të ditur se numri i madh i qytetarëve që po aplikojnë po shkakton vonesa në rimbursim.
Për nëntë muajt e fundit të vitit të kaluar janë rimbursuar gjithsej 198 mijë e 944 qytetarë, përcjell koha.net. Vlera e shumës së rimbursuar për këta muaj është 3 milionë e 450 mijë e 690 euro. /Telegrafi/