Telegrafi

Rritet paga mesatare në Kosovë

Paga publike mesatare gjatë 2008 ka qenë 249 euro, ndërsa në vitin 2010, 268 euro, që tregon për një rritje. Ndërsa paga mesatare në sektorin privat gjatë 2008 kanë qenë 243 euro, që është rritur në vitin 2010 në 303 euro. Këto të dhëna i ka publikuar Aleanca Kosovare e Biznesit, (AKB), gjatë një hulumtimi që e ka realizuar me 940 biznese private, 212 biznese familjare dhe 35 institucione publike, të quajtur “Hulumtim mbi nevojat e tregut të punës”.

Në hulumtimin e AKB-së thuhet se ka pasur edhe rritje të punësimit nga viti në vit. Mostrën që e ka marrë nga ato kompani, AKB-ja ka konstatuar se nëpër këto ndërmarrje ka pasur rritje të numrit të punëtorëve nga 12764, në vitin 2008 dhe 14372, në vitin 2009, që i bie se numri i punëtorëve nëpër ndërmarrjet që është marrë mostra ka qenë 12.6 për qind rritje të numrit të punëtorëve.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se ka shumë sektor që ka specifika të kërkimit të punëtorëve që është paraqitur si problem në të ardhmen, sepse këta punëtor nuk i ka tregu i Kosovës.

“Profesion që mungon në Kosovë dhe punëdhënësit kanë vështirësi t’i gjejnë janë edhe pastrues i rrugëve, vozitës i motoçikletës, minator, kuzhinier, drejtues i kamionëve të rëndë etj”, tha Shahini.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, (MEF), Ahmet Shala tha se këto shifra konfirmojnë se politikat e punësimit janë të drejta dhe po funksionojnë.

Ndërsa Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, (MPMS), Nenad Rashiç tha se ky hulumtim është inkurajues sepse ka rritje të vendeve të punës. “Ne nuk kemi shkop magjik që t’i punësojmë të gjithë sepse situata është asi soj, mirëpo hulumtimet tregojnë se ka indikacione pozitive në hapjen e vendeve të punës”, tha Rashiç. /Telegrafi/