Fondet mbrojtëse e nisën vitin 2018 me bastet më të mëdha në historik për rritjen e euros, duke shprehur hapur besimin te valuta e përbashkët.
Sipas të dhënat nga Komisioni i Tregtimit të Kontratave Futures në Chicago, fondet mbrojtëse dhe spekulatorët kanë rritur pozicionet afat-gjatë në euro me më shumë se 35,000 kontrata në një total prej 127,868 në javën e parë të vitit, bast që vlerësohet në rreth 19.3 miliardë dollarë.
Ky është pozicioni më i madh neto për valutën e përbashkët që prej krijimit 19 vite më parë, duke kaluar nivelin e Majit 2007, ku kontratat arritën në 119,548. Këto baste ndaj euros kanë qenë ndër nxitësit kryesore të rritjes së valutës, ndërkohë që shtoi 14% kundër dollarit vitin e kaluar, që është performanca më e mirë që prej vitit 2003.
Ekonomia e Eurozonës u rrit me 2.6% në tremujorin e tretë, që është norma më e shpejtë që prej 2011-ës, duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara. Euro u rrit në nivelin më të lartë në 4 muaj gjatë javës së kaluar, duke prekur 1.2089 kundër dollarit.
Analistët e Deutsche Bank kanë rritur projeksionet për euron, duke pritur një nivel prej 1.30 dollarë deri në fund të vitit. Megjithatë, ekzistojnë dyshime mbi ruajtjen e këtij vrulli.
Sipas analistëve, performanca do të varet ndaj politikave që do të ndjekin bankat qendrore në të dyja anët e atlantikut.
Tregtarët nuk presin që Rezerva Federale të vazhdojë tkurrjen monetare në mënyrë agresive, ndërsa për Bankën Qendrore Europiane ekzistojnë dyshime se sa gjatë mund të mbajë stimujt monetarë. /Telegrafi/