Telegrafi

Rritet numri i studentëve të UEJL-së që kryejnë nga një semestër studimesh në vende të BE-së

Mbi 60 studentë, profesorë dhe staf tjetër i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL), vitin ardhshëm akademik, do ta shfrytëzojnë programin për këmbim të Komisionit Evropian, ERASMUS,  për të kryer studimet për një semestër në universitetet partnere të UEJL-së në shtetet evropiane, transmeton Telegrafi Maqedoni.

“Universiteti i Evropës Juglindore ka fituar një grand, në kuadër të Programit për këmbim “Erasmus +”, të cilin mund ta shfrytëzojnë rreth 50 studentë. Varësisht nga programi studimor, ata mund ta ndjekin një semestër të studimeve në njërin nga universitetet e vendeve të Bashkimit Evropian me të cilët UEJL ka të lidhur marrëveshje”, tha Bujar Sinani, përgjegjës i Zyrës ndërkombëtare.

Po ashtu, për vitin akademik 2016/2017, programin e këmbimit pritet ta shfrytëzojnë rreth 10 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, të cilët do të shkojnë në angazhim akademik, ose trajnim administrativ.

Universiteti i Evropës Juglindore është njëri ndër universitetet e pakta në Maqedoni, ku këmbimi studentor zhvillohet në të dy drejtimet.

Gjatë këtij viti akademik, në këtë universitet kanë qëndruar disa studentë të huaj nga Franca, Suedia dhe Kroacia.

“Vitin e ardhshëm akademik presim të vijnë për një semestër në Universitetin tonë 3 studentë nga Kroacia, 1 nga Spanja dhe 3 nga Franca”, thotë Bujar Sinani.

Studentët e UEJL-së, kryesisht i zgjedhin universitetet më të njohura evropiane, si Bamberg dhe Hajdelberg-Gjermani, ICES-Francë, Lubjane dhe Primorska-Slloveni, Geteborg-Suedi, Klagenfurt-Austri, Prage – Republika Çeke./Telegrafi/