Numri i personave që vuajnë nga veshkat po rritet. Në Ditën Botërore të Veshkave u tha se vetëm në Qendrën e Hemodializës që Qendrën Klinike Universitare janë 400 raste me këtë sëmundje.
Dita Botërore e Veshkës u shënua edhe në Kosovë me një varg aktivitetesh e cila u bë për të sensibilizuar qytetarët në lidhje me problemet që shkaktohen nga sëmundja e veshkës.
Nefrologu në QKUK, Saud Imeri tha se në Qendrën e Hemodializës janë mbi 400 pacientë që janë duke u trajtuar, të cilët kanë përfunduar aty nga mostrajtimi me kohë.
Sipas Imerit, sot Shoqata e Nefrologëve ka vendosur që të hapin një pikë informuese në sheshin e Prishtinës, në mënyrë që të njihen sadopak me problemet eventuale të kësaj sëmundjeje.
“Dëshirojmë ta bëjmë sensibilizimin e opinionit që sa më përpara të vetëdijesohet edhe popullata jonë në lidhje me sëmundjet eventuale të veshkave që janë në rritje e sipër në Kosovë por njëherit edhe gjetkë, por në veçanti këtu te ne në Prishtinë se në Qendrën e Hemodializës kemi mbi 400 pacientë që janë në hemodializë, domethënë të gjithë ata pacientë që nuk janë trajtuar me kohë, në fillim në fëmijëri të hershme dhe kështu që kanë ardhur deri tek gjendja ireversibile – e pakthyeshme e sëmundjeve të veshkëve”, tha Imeri.
Ai sqaron edhe simptomat e kësaj sëmundje ku siç tha ai nëse guri lëviz në veshka atëherë ka dhimbje, ndërsa sëmundjet tjera nuk kanë.
Prandaj sipas tij, qytetarët duhet sa më herët të bëjnë analiza dhe të shkojnë te mjeku në mënyrë që mos të vihet deri te faza e fundit.
Ymer Elezi, kryetar i Shoqatës së Nefrologëve tha se shkaktari kryesor për dëmtimin e veshkave është mbipesha.
Prandaj, sipas tij, sot në Ditën Botërore të Veshkave po mundohen të bëjnë sensibilizimin e qytetarëve duke shpërndarë fletushka, dhe aktivitete tjera.
“Një e treta e popullatës në botë mendohet të vuajnë nga mbipesha, dhe mbipesha si gjendje jo e mirë shkakton në rendë të parë direkt dëmtimin e veshkave, shtypjen e lartë të gjakut dhe sheqerin dhe në mënyrë indirekte nga sheqeri vuajnë veshkat”, tha Elezi.
Doktori i kësaj fushe Bejtush Zylfiu dha një mesazh në Ditën Botërore të Veshkave duke thënë se me aktivitete të herëpashershme dhe ushqim racional mund të ruhen ky organ i rëndësishëm për organizimin e njeriut.
“Kjo ditë tash gjithnjë e më tepër po jep efektet e saj sepse sensibilizimi i popullatës është shumë i rëndësishëm sidomos për të moshuarit të cilët duhet të kontrollojnë shtypjen dhe funksionin e veshkave dhe niveli është shumë i kënaqshëm si nga organizimi i ekipit, por edhe nga pjesëmarrja e popullatës. Mesazhi im për këtë ditë është ruajtja e funksionit të veshkës me aktivitet dhe ushqim sa më racional dhe me kontrollim të tensionit, sheqerit dhe të gjithë parametrave të tjerë që bëjnë dëmtimin e funksionit të veshkës”, tha Zylfiu.
Në sheshin “Nënë Tereza” ku po mbahej ky aktivitet kishte dalë edhe Sali Tërmkolli, i cili vuan nga sëmundjet e veshkës.
Ai tha se popullata në Kosovë është shumë e pakujdesshme sa i përket shëndetit dhe organizime të tilla janë të mirëseardhura sepse sipas tij shërbimi shëndetësor në Kosovë ka mbetur shumë pas dore. /KP/