Site icon Telegrafi

Kosova e prekur nga epidemia e gripit sezonal

Foto: Ilustrim/Arkiv

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike në raportin e sotëm përmbledhës ka konstatuar intensitet të shtuar të rasteve të gripit sezonal.

Gjatë javës së pestë të vitit 2018, në Kosovë janë raportuar 6.451 raste të gripit (Incidenca=353,7 /100.000), që paraqet rritje prej 55.5% krahasuar me javën e kaluar, derisa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kemi rritje të numrit të përgjithshëm të rasteve.

Nga 01 tetori 2017 deri më 02 shkurt, 2018 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 31.383 raste të  dyshimta  në grip (ILI).

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 07 shkurt 2018  janë testuar gjithsej 322 mostra për tipizim dhe subtipizim në grip. Prej  tyre 165 ose 51 %  kanë  rezultuar pozitive  në  Influencë, prej të cilave 66 mostra janë pozitive në Influencën A (1 rast A(H1) dhe 99 në Influencën B (48 raste janë B subtipi Yamagata).

Në bazë të situatës aktuale Instituti Kombëtar konstaton se kemi të bëjmë me epidemi të gripit sezonal, raporton Telegrafi.

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar po ashtu mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

Instituti rekomandon MASHT-in që të njoftojnë të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) se të gjithë fëmijët dhe nxënësit me shenja dhe simptoma të gripit (Temperaturë e lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku e muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut.

Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.

Të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Exit mobile version