Pas një monitorimi dy-ditor në të gjitha pikat kufitare në jug të vendit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka dalë në konkluzionin se ka një rritje të emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar përmes vendit tonë.
“Gjashtëmujori i parë i 2018-ës ka njohur fluks në rritje të emigrantëve të paligjshëm që kanë kaluar kufirin shqiptar, ndërsa në pikat kufitare ka mungesa në logjistikë. Shteti shqiptar nuk ka kapacitetet për të ushtruar kontrolle në të gjithë kufirin e gjelbër”, thuhet në raport.
Eria Skëndaj, drejtoreshë ekzekutive e KSHH pohoi për median se policia kufitare nuk ka dhënë informacion për shifrën e saktë të emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Shqipëri nga kufiri grek.
Ndërsa janë konstatuar shkelje nga të dyja palët greke dhe shqiptare në respektimin e të drejtave të emigrantëve dhe personave të tjerë që kalojnë kufirin.
Konkluzionet paraprake të Komitetit Shqiptar të Helsinkit theksojnë se kapacitet infrastrukturore në pikat kufitare janë të kufizuara, ndërsa vihen re mungesa në personel ku përkthyesi, psikologu apo mjeku nuk janë pjesë e organikës.
Konkluzioni përfundimtar i tyre është se, shteti shqiptar nuk ka kapacitet e trajtimit të një fluksi të madh klandestinësh. /Telegrafi/