Telegrafi

Rritet numri i të ardhurve në portin e Durrësit

Sipas burimeve nga drejtoria rajonale e policisë kufitare dhe migracionit bëhet e ditur se numri i udhëtarëve ka ardhur duke u rritur nga dita në ditë. Sipas tyre, vetëm sot në sheshin e trageteve janë ankoruar 6 tragete me 2470 udhëtarë dhe 600 automjete gjithsej, ndërsa pritet që nesër numri i tyre të jetë më i lartë.

Në dalje të sheshit të trageteve funksionojnë 24 pika të kontrollit kufitar për udhëtarët dhe automjetet dhe deri tani përpunimi i tyre është bërë në një kohë shumë të shkurtër. Aktualisht sheshi i trageteve ka një hapësirë të përgjysmuar për shkak të punimeve që po realizohen për terminalin e ri të udhëtarëve, i cili do të jetë gati në prill të vitit 2010.

Që nga fillimi i këtij viti tragetet e linjave detare me Barin, Ankonën dhe Triesten janë shfrytëzuar nga 110 240 udhëtarë me 4 391 automjete në hyrje dhe 137 091 udhëtarë me 3 322 automjete në dalje nga Durrësi drejt porteve të Italisë. Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti është shënuar një rritje prej 7713 udhëtarësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008.