Telegrafi

Rritet numri i bizneseve në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare

Rreth 40 biznese të reja, të Komunës së Ferizajt, po i shtohen Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë (OEGJK). Kjo odë synon që brenda këtij viti të rrisë edhe më shumë numrin e bizneseve. Madje kjo odë ka arritur të lidhë edhe memorandum bashkëpunimi me Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, çdo herë me qëllim të forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë.

Derisa, synim i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, vazhdon të mbetët regjistrimi në “Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Gjermane”. Për këtë regjistrim Oda njofton se kanë nisur të bëhen hapat e parë.

Përparësia e bizneseve që anëtarësohen në Odën Ekonomike Gjermane-Kosovare padyshim që është bashkëpunimi më lehtë i mundshëm që këto biznese mund ta realizojnë me bizneset gjermane.

Dje u bë edhe ceremonia e bizneseve që kanë shprehur interesimin të jenë pjesë e kësaj ode. Me këtë rast, presidenti i Odës Ekonomike Gjermane-Kosovare, Samir Krasniqi foli për përparësitë që kanë ato biznese që regjistrohen në këtë odë.
“Anëtarësimi i disa bizneseve të regjionit të Ferizajt në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, do të thotë këtu siç po e shihni janë 40 biznese të cilat kanë shprehë vullnetin dhe dëshirën të anëtarësohen në Odën Gjerman-Kosovare. Këto biznese kryesisht kanë një bashkëpunim, direkt apo indirekt, me Gjermaninë ose me bizneset gjermano”, tha ai.

E për bizneset të cilat po largohen në Kosovë duke vazhduar operimin e tyre në vendet e tjera fqinje, siç është Maqedonia, Krasniqi tha se kjo po ndodhë sepse për momentin Maqedonia po ofron një paketë më joshëse për investitorët e huaj.

Anëtarësimin e afaristëve të rinjë e mirëpriti edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa. “Afaristët në përgjithësi e kanë mundësinë që ta zhvillojnë një biznes në rrethana më të mira, për shkak të fuqisë punëtore, e cila është më e ulët në raport me çmimin punës që ekziston kudo në Europë, andaj edhe mendoj që investimet këtu nuk mund të jenë të rrezikuara”, tha ai.

Sipas Ambasadës Gjermane në Kosovë, Kosova ka një potencial mjaftë të madh për zhvillim ekonomik.
Zëvendësi i ambasadores gjermane në Kosovë, Mathias Kiesler, theksoi rëndësinë e zhvillimit ekonomik për zhvillimin e një shteti. /Telegrafi/