Numri i fluturimeve ajrore përgjatë muajit qershor 2018 shënoi një rritje prej 13.1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Shqipëria tashmë ka hyrë në hartën e destinacioneve turistike evropiane, duke reflektuar një interes në rritje të numrit të turistëve dhe vizitorëve të shumë që vizitojnë vendin tonë. Instituti i Statistikave (INSTAT) njoftoi se vetëm në qershor të këtij viti numri i fluturimeve arriti në 2,314.
Sipas INSTAT, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në gjashtëmujorin e parë 2018 është 1 milion e 270 mijë 329 duke u rritur me 13.4 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vitet e fundit Shqipëria përmes aeroportit të vetëm ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka shënuar një rritje progresive të numrit të pasagjerëve. Në gjashtëmujorin e parë 2018, numri i fluturimeve të kryera arriti në 11,774 fluturime, duke u rritur me 9.6 për qind, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, në gjashtëmujorin e parë 2018, transporti ajror i pasagjerëve zuri 72.7 për qind të totalit të transportit në Shqipëri. /ATSH /Telegrafi/