Është rritur numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në sy dhe mbajtja e syzeve me dioptri tek fëmijët. Përveç sëmundjeve të anomalisë kongjenitale dhe sëmundjeve të tjera, ndikim të madh në dëmtimin e syve tek fëmijët kanë edhe përdorimi i tepërt i tabletave, kompjuterëve dhe lojërave argëtuese në play station.
“Mund të them se është rritur numri, d.m.th nevoja për ndërhyrje kirurgjikale tek fëmijët. Madje për 5 për qind është rritur numri i glaukomës tek fëmijët, për dallim nga vitet e kaluara, ku duhen ndërhyrje kirurgjikale. Këto janë numra seriozë dhe unë personalisht nuk mund të përcaktojë se nga çka shkaktohet, por, e dimë se kovidi e ka bërë të veten, rrezatimi i jashtëm, ushqimi sjell deri tek anomalitë kongjenitale tek fëmijët”, tha Irina Bogdanova oftamologe.
Oftamologët rekomandojnë kontrollim të syve të paktën një herë në vit, si dhe kufizimi i përdorimit të pajisjeve teknologjike apo telefonave të mençur.
“Ne si oftamologë rekomandojmë sa më shumë, pasi nuk mund të them të ndalohet, sepse kjo është një mënyre moderne e jetesës dhe lojëra të reja moderne me tabletat, pra të kufizohet koha në tableta dhe kompjuter”, shtoi Irina Bogdanova oftamologe.
Në të shumtën e rasteve, oftamologët thonë se prindërit nuk e vërejnë me kohë shfaqjen e problemeve me shikim, apo shikimin e dobët, andaj është e nevojshme që të shtohet kujdesi ndaj tyre, dhe vizitat tek oftamologët mos të anashkalohen./Alsat.mk