Të reshurat e shiut në tërë vendin kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe në rajonin e Tetovës dhe më gjerë. Kësisoj, janë vërshuar shumë hektarë me ujë në pronat bujqësore në Reçicë të Madhe, ndërsa uji ka dalë edhe nëpër rrugën që ndodhet në këtë zonë, kurse rrezikon që uji të dalë edhe në autostradë në pikën e pagesës rrugore. Këto vërshime janë shkaktuar nga mos pastrimi i shtratit të lumit të fshatit Pallçisht dhe mos intervenimi në kanalin për ujitje që nuk është pastruar nga Drejtoria për Ekonomizim me Ujërat, thonë banorët.
“Uji që ka vërshuar është nga lumi i Pallçishtit dhe gjithmonë kur ka reshje, ky kanal që del ndër autostradë – zihet dhe gjithmonë na shkakton probleme. Probleme kemi se nuk mund të shkojmë as tek bizneset tona që ndodhen në këtë pjesë. Ndërmarrja që është për menaxhim me kanalet e ujitjes nuk ka marrë masa. Ne e kemi ndërtuar rrugën në këtë pjesë me financimin tonë, kurse jemi të gatshëm që akoma të japim kontribut që kjo mos ndodhë”, tha Bekim Bilalli, banor i Reçicës së Madhe. Ndërkaq, ekipet e Qendrës për Menaxhim me Kriza prej mëngjesit janë në terren, tha drejtori Stojançe Angellov. Ai thotë se po rritet niveli i ujit në lumin Vardar e më në rrezik është rajoni i Pollogut.
“Kemi informacion për rritjen e nivelit të ujit të lumit Vardar, i cili mund të rrezikojë disa vendbanime, gjegjësisht shtëpitë në rajonin e Pollogut. Por, gjithsesi për momentin gjithçka është nën kontroll. Kërkojmë nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në këso raste kur rritet niveli i ujit të lumenjve”, tha Angelov. Edhe nga Komuna e Tetovës thonë se e monitorojnë situatën në terren lidhur me reshjet e fundit.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën me të gjitha institucionet tjera relevante dhe deri më tani situata është nën kontroll, që të mos kemi dëme sikurse patëm vitin e kaluar. Ka ekipe që vëzhgojnë kanalizimin në rrugët e Tetovës sidomos në pikat kritike në qytet dhe jashtë qytetit me qëllim që në kohë të lirohet kanalizimi nëse nuk mund të pranon tërë sasinë e ujit”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Ndërkaq, problemi i vjetër me kanalin e ujitjes është shfaqur sërish në Reçicë të Vogël, respektivisht në rrugën 172 . Përgjatë kësaj rruge, çdoherë kur ka më shumë reshje atmosferike, mbushet me rërë kanali dhe uji del në sipërfaqe. Edhe pse disa herë janë ndërmarrë masa që të lirohet kanali, megjithatë zgjidhje nuk gjendet dhe problemi përsëritet. Në atë pjesë ka qenë një kanal i vogël që ka mbledhur ujërat sipërfaqësor kur ka patur reshje, por që është përdorur për ujitje. Tashmë ai kanal është futur në gypa dhe zihet shumë shpesh duke krijuar edhe vërshime të tjera në këtë pjesë të Tetovës, gjegjësisht në lagjen Reçicë e Vogël. (koha.mk)