Telegrafi

Rritet Leku, ndaj monedhave të huaja

Kjo javë, krahasuar me një javë më parë, ka sjellë një zhvlerësim të lehtë të valutave në raport me monedhën kombëtare, lekun.

Paradite, në tregun valutor, një euro këmbehej në blerje me 135 lekë, në një kohë që një javë më parë kursi i këmbimit ishte fiksuar në 135.5 lekë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të fiksuar nga Banka Qendrore kjo javë ka sjellë një zhvlerësim të euros me rreth 0.5 lek. Ndërkohë, sipas shifrave të mesditës të së dielës, rezulton që dollari të jetë zhvlerësuar edhe më shumë. Ai këmbehet me 103.1 lekë, kur një javë më parë këmbehej 104 lekë, pra me zhvlerësim prej 0.9 lekësh.

Me rreth 0.6 lekë ndryshon kursi i këmbimit për shitjen e monedhave të huaja, duke patur një marzh të njëjtë fitimi mes blerjes e shitjes për njësitë valutore. Sipas ekspertëve, kjo tendencë që është vënë re gjatë gjithë muajit korrik dhe për shkaqe të njëjta pritet të vazhdojë edhe muajin tjetër.

Sipas agjentëve valutorë, kjo situatë është sezonale dhe ka ardhur si pasojë e prurjeve të emigrantëve. Sipas tyre, parashikohet që ky nivel kursi euro/lek do të jetë edhe gjatë muajit gusht.

Parashikimi i ekspertëve të ekonomisë është se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë, pasi me largimin e emigrantëve leku do të rinisë të zhvlerësohet. /bw/telegrafi/