Ende vazhdon trendi i importit të madh të mallrave nga vendet e ndryshme, ndërsa eksporti është dukshëm më i vogël. Kosova gjatë muajit janar të këtij viti ka përjetuar një deficit tregtar më të lartë prej 110.8 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 109,4 milionë euro me periudhën e njëjtët te vitit 2014, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2015.
Sipas publikimit të ASK-së, eksporti mbulon importin me 19.2 për qind. “Eksporti i mallrave në muajin janar 2015 kishte vlerën 26,3 milionë euro, ndërsa importi 137,1 milionë euro, kjo paraqet një rritje prej (28.4 për qind) për eksport si dhe (5.5 për qind) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014”.
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: 62.6 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9.9 për qind produktet minerale, 4.9 për qind tekstil dhe artikuj tekstili, 4.7 për qind produktet bimore, 4.1 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.1 për qind lëkurë dhe artikuj prej tyre, 3.2 për qind plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj.
“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: 19.5 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.4 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8.9 për qind produkte të industrisë kimike, 7.0 për qind produktet bimore, 7.0 për qind mjetet e transportit, 6.0 për qind kafshë të gjalla, produkte me origjinë kafshe, (5.4 për qind) metalet bazë dhe artikujt prej tyre etj”.
E, lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partner kryesor tregtar janë vendet e Bashkimit Evropian të cilat marrin pjesë me 38.1 për qind për eksport dhe 40.5 për qind për import, ndërsa vendet e CEFTA-s marrin pjesë me 24.1 për qind për eksport dhe 26.9 për qind për import, në raport me janarin e vitit 2015.
“Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Itali 23.9 për qind, Indi 22.4 për qind, Shqipëri 9.5 për qind, Maqedonia 5.5 për qind, Turqia 4.7, Mali i Zi 4.4 për qind, Serbia 4.1 për qind etj. Ndërsa sipas të dhënave përqindja më e madhe e importit është nga: Serbia 16.0 për qind, Kina 11.3 për qind, Gjermania 10.8 për qind, Turqia 8.0, Italia 7.5 për qind, Shqipëria 4.6 për qind, Maqedonia 4.6 për qind etj”, ka njoftuar ASK-ja. /Telegrafi/