Site icon Telegrafi

Rritet eksporti në Maqedoni

Këmbimi i përgjithshëm i mallrave të Maqedonisë me vendet e huaja nga janari e deri në gusht të këtij viti arrin 7.505.321 mijë dollarë amerikanë. Më së shumti është tregtuar me Gjermaninë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas të dhënave të publikuara të Entit Shtetëror për Statistikë, eksporti i mallrave arrin 3.112.569 mijë dollarë amerikanë dhe shënon rritje prej 6,4 për qind në krahasim me atë periudhë të vitit paraprak, derisa vlera e mallit të importuar arrin 4.392.752 mijë dollarë që është për 6,2 për qind më shumë në krahasim me atë periudhë të vitit të kaluar. Deficiti tregtar, në periudhën janar-gusht të vitit 2016, arrin 1.280.183 mijë dollarë amerikanë. Mbulimi i importit me eksportin arrin 70,9 për qind.

Këmbimi tregtar për prodhime tregon se në eksport më e madhe është prania e katalizatorëve të bartësve me metale të çmuara ose komponimet e tyre, set të telave për ndezje dhe ngjashëm, për automjete, aeroplanë ose anije, feronikeli dhe veshëmbathja. Në import më së shumti janë përfaqësuar platini dhe legurat e platinit, të përpunuara ose në pluhur, vajërat e naftës dhe vajrat e marrura nga mineralet bituminoze (përveç të papërpunuara), metale tjera nga grupet e platinës dhe legurët e tyre, të papërpunuara ose në formë të pluhurit dhe energjia elektrike.

Në periudhën janar-gusht të vitit 2016, sipas vëllimit të përgjithshëm të këmbimit të jashtëm tregtar, Republika e Maqedonisë më së shumti ka tregtuar me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Serbinë, Greqinë dhe Bullgarinë. /Telegrafi/

Exit mobile version