Site icon Telegrafi

Rritet ekonomia gjermane

Ekonomia gjermane u zgjerua me një hap prej 1.7 për qind përgjatë 2015-ës, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vitin paraardhës.

Kështu, të dhënat paraprake të institutit të statistikave në vend sinjalizojnë se 2015-ta ka qenë viti më i suksesshëm ndër 4 vitet e fundit për ekonominë më të madhe të Eurozonës. Konsumi privat konfirmohet si lokomotiva e kësaj performance, pasi ka shënuar rritjen më të madhe që prej vitit 2000.

Shpenzimet e familjarëve janë nxitur nga rritja e pagave, inflacioni anemik dhe punësimi në shifra rekord. Kreu i institutit të statistikave në vend konfirmoi konsumatorin si faktorin kryesor të rritjes. Konsumi privat u rrit me 1.9 për qind përgjatë 2015-ës, duke kontribuar me 1 për qind në normën e rritjes vjetore.

Shpenzimet publike ndërkohë, kontribuan me 0.5 për qind, dhe tregtia me 0.2 për qind. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruot të Gjermanisë përgjatë 2015-ës rezulton në linjë me pritshmëritë e qeverisë. Për vitin aktual, Berlini projekton një normë rritje pranë 1.8 për qind. /Telegrafi/

Exit mobile version