Site icon Telegrafi

Rritet dhuna në familje, 300 raste më shumë në 2018 se në 2017

Gjatë një ceremonie formale, sot u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit për Sistemin e integruar të evidentimit të rasteve të dhunës në familje ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës si dhe Policisë së Kosovës.

Nënshkrimi i këtij memorandumi bart rëndësi të veçantë, pasi do të mundësojë monitorimin dhe ndjekjen e rasteve të dhunës në familje në Kosovë, por mbi të gjitha do të ndikojë edhe në rritjen e llogaridhënies për rastet e dhunës.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se data-baza e dhunës në familje, nuk ka qëllim klasik grumbullimin e të dhënave sa për t’i evidentuar ato, por edhe analizën shkak-pasojë dhe analizën e rasteve të dhunës në familje, për ndërtimin e një perspektive më efektive që i përgjigjet problemeve reale.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se dokumenti i nënshkruar sot për bazën e të dhënave për viktimat e dhunës në familje, lehtëson punën dhe koordinimin ndërinstitucional që në bazë e  të dhënave të sakta për viktimat e dhunës, të avancohen shërbimet sociale në mbrojtje të kësaj kategorie.

Annette Fath-Lihic, këshilltare politike e Përfaqësueses Speciale të BE-së / Koordinatore Ekzekutive nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se baza e integruar e të dhënave mund të jetë një mjet i dobishëm në luftën kundër dhunës në familje, pasi dhuna në familje kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria.

“Të gjithë duhet të raportojnë dhunën dhe të kuptojnë rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje”, u shpreh ajo.

Baza e të dhënave do të udhëhiqet dhe mbikëqyret nga Koordinatori Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje. Krijimi i saj u mbështet nga Zyra e UN Women në Kosovë, në kuadër të projektit regjional “Ndryshimi i mendësisë, zbatimi i normave: Eliminimi i dhunës ndaj grave – EVAW“, financuar nga BE.

Ndryshe, vitin e kaluar në Kosovë u raportuan 300 raste më shumë të dhunës në familje se në vitin 2017.

Exit mobile version