Site icon Telegrafi

Rritet çmimi i biletave – nëse blihen autobusët e rinj (Video)

Në studimin e fizibilitetit është propozuar që kur autobusët e vjetër të zëvendësohen me të rinj në Prishtinë, edhe çmimi i biletave të ndryshojë.

Pavarësisht uljes së çmimit të naftës, çmimi i biletave do të rritet, raporton emisioni “038” i KTV-së.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka thënë se ulja do të jetë e lehtë ngase qëllimi është i përshkallëzimit të biletave.

Sipas tij, ai që udhëton dy stacione nuk mund të paguajë si dikush që hip në autobusë në “Gërmi” e shkon deri në stacionin e fundit.

Por, janë të shumtë nxënësit që udhëtojnë nga stacioni i parë deri te stacioni i fundit dhe që janë kundër kësaj rritjeje.

“Përshkallëzimi ka ekzistuar edhe më herët”, thonë punëtorët e vjetër të “Trafikut Urban”.

Kondukteri, Islam Bunjaku, thotë se kur ndërmarrja kishte 105 autobusë, biletat dallonin nëpër zona.

“E, çmimi pritet të rritet nga 5 deri në 10 centë, por që kjo nuk do të vërehet tek udhëtarët”, thotë drejtori i trafikut urban, Halil Mustafa.

Ai ka thënë se çmimi do të dallojë edhe për biletën ditore, javore e mujore që bëjnë pjesë në biletën integruese.

Ndryshe, 51 autobusët, të paraparë që të blihen me një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kanë mbetur peng i mosmarrëveshjeve mes Komunës dhe Ministrisë së Financave, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura.

Si pasojë, Qeveria nuk ka nënshkruar garancionin shtetëror për marrjen e kredisë.

Exit mobile version