Në gjashtë muajt e fundit çmimi mesatar i banesave në rangë vendi është rritur 16.9 për qind, vetëm në Tiranë çmimet janë rritur 23 për qind, ku pronat në kryeqytet zënë peshën më të madh të transaksioneve imobiliare
Çmimi mesatar i banesave është rritur me 16.9 për qind përgjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, rritja më e madhe u pasqyrua për çmimin mesatar për pronat në kryeqytet, të cilat zënë dhe peshën më të madhe të kërkesës në rang vendi. Në Tiranë çmimi mesatar i banesave u rrit 23.5 për qind krahasuar me 6 muaj më parë, si dhe 11 për qind krahasuar me 6 mujorin e dytë të vitit 2023.
Indeksi Fischer, i cili përcakton nivelin mesatar të çmimit të pronave, është rritur edhe për shkak të rritjes së përgjithshme të çmimeve, megjithëse kur shihet diferenca e pronave të patundshme në qytetet e tjera jashtë Tiranës, ato nuk paraqesin një ndryshim të konsiderueshëm në çmim, duke bërë kështu që luhatshmëria dy shifrore e përqindjes së rritjes, të përqendrohet vetëm për pronat në Tiranë.
Të dhënat e bankës tregojnë për një rigjallërim të industrisë së pronave të patundshme. Megjithatë theksohet se rritja e çmimit mesatar, mund të jetë ndikuar nga pasha e lartë e transaksioneve për pronat në zona më të shtrenjta, si ato qendrore në kryeqytet.
Në fakt pronat në zonën qendrore zinin 46 për qind të vëllimit të shitjeve për periudhën e vrojtuar, dhe kjo peshë është më e lartë se ajo e periudhave të mëparshme.
Gjithashtu numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 928, më e ulët se gjysma e parë e vitit.
Rritja e çmimeve përkon edhe me rrirtjen e kredisë për banesa. Në 7 muajt e parë të vitit, kjo e fundit arriti në shifrën rekord prej 31.6 miliardë lekësh, shumë kjo 17 për qind më e lartë se e njejta periudhe ë një viti më parë.