Telegrafi

Rritet aktiviteti i bizneseve në Eurozonë

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u rrit me hapin më të shpejtë të këtij viti gjatë muajit nëntor, tregojnë të dhënat e fundit nga Markit. Sipërmarrja ka përfituar kështu nga dobësimi i monedhës së përbashkët europiane.

Nga ana tjetër, këto të dhëna i vijnë në ndihmë Bankës Qendrore Europiane, që pritet të njoftojë ditën e enjte zgjerimin me 6 muaj të programit të lehtësimit sasior në shkallë të gjerë.

Indeksi PMI i Markit, një ndër indikatorët më të saktë të aktivitetit ekonomik, u regjistrua në 53.9 pikë gjatë Nëntorit, nga 53.3 pikë që fiksohej në muajin tetor. Pritshmëritë ndërkohë flisnin për një lexim pranë 54.1 pikëve.
Niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Shifra ka qënë mbi nivelin e 50 pikëve çdo muaj që prej mesit të vitit 2013. Ekspertët shprehen se dobësimi i euros po udhëheq performancën pozitive.

Nën-indikatori që mat sektorin e shërbimeve, më i madhi në rajon, u fiksua pranë 53.8 pikë gjatë nëntorit, nga 52.8 pikë të muajit paraardhës.

Nga ana tjetër, nën-indikatori i çmimeve të prodhimit u rrit në 50.6 pikë duke sinjalizuar një rimëkëmbje më të fortë të normës së inflacionit. Leximi i fundit i indeksit PMI sugjeron një rritje ekonomike të eurozonës gjatë tremujorit të tretë fundit të vitit, pranë 0.4 për qind. /Telegrafi/