Telegrafi

Rriten tregjet financiare në SHBA pas shpresës për shërim të COVID-19 me plazmën e gjakut

Bursat S&P 500 dhe NASDAQ arritën nivele të reja të larta të hënën, të nxituara nga zhvillimet teknologjike dhe miratimi nga Shetet e Bashkuara për përdorimin emergjent të plazmës së gjakut në trajtimin e pacientëve me virusin COVID-19.

Kjo lëvizje erdhi përpara Konventës Kombëtare Republikane, ku presidenti Donald Trump mori nominimin për të udhëhequr partinë e tij edhe për katër vjet të tjera.

Vendimi i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për të përdorur plazma të pasura me antitrupa nga pacientët e rikuperuar u përshëndet nga Trump dhe erdhi një ditë pasi ai e akuzoi institucionin që po pengonte trajtimin për arsye politike.

Sidoqoftë, Organizata Botërore e Shëndetit ishte e kujdesshme për miratimin e trajtimit, duke përmendur se ka prova “me cilësi të ulët” për funksionimin e tij.

Apple u rrit 2.7 për qind, duke kaluar nivelin e 500 dollarë për aksion për herë të parë, duke ndikuar në rritjen më të madhe për tre indekset kryesore të aksioneve.

Facebook, Amazon, Microsoft dhe Google që së bashku me Apple përfaqësojnë gati një të katërtën e kapitalizimit të tregut të S&P 500, u rritën midis 0.9 për qind dhe 3.5 për qind.

Efekt pozitiv në tregje dha edhe një raport që Administrata Trump po shqyrton me shpejtësi një vaksinë eksperimentale COVID-19 që po zhvillohet nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit për t’u përdorur në Shtetet e Bashkuara para zgjedhjeve.

“Të gjithë janë të përqendruar në të njëjtën gjë, për atë që mund të zhdukë virusin, qoftë ai përmes trajtimit, por mundësisht nga vaksinat,” tha Thomas Hayes, anëtar drejtues në Great Hill Capital në New York. /Telegrafi/