Telegrafi

Rriten të hyrat në veri

Doganat e Kosovës kanë vërejtur një rritje prej 50 përqindësh në vjeljen e të hyrave për muajin shkurt në veriun e vendit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje i atribuohet pranisë së doganierëve të EULEX-it, që tashmë po patrullojnë në pikat doganore 1 dhe 31, të cilat qenë djegur nga serbët në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se nga vendosja e doganierëve është vërejtur zvogëlim i kontrabandës së mallit që hynte nga Serbia në Kosovë. “Në shkurt, i cili ka qenë muaji më problematik vitin e kaluar, rritja e të hyrave kalon në 1. 5 milion euro. Këto janë dy indikatorë kryesorë pse doganierët e EULEX-it, edhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë arritur në njëfarë mase jo të ndalojnë krejt kontrabandën, por ta mbajnë nën kontroll”, u shpreh Stavileci.

Doganierët e EULEX-it kanë më shumë se një muaj që kanë filluar të regjistrojnë dhe evidentojnë mallin që hyn në kufi. Ata nuk bëjnë zhdoganimin e tij. Edhe pse punë jo e përfunduar, Stavileci thotë se kjo në masë të madhe po u ndihmon Doganave të Kosovës.

“Në rrethanat tona është shumë i nevojshëm regjistrimi, sepse Doganat e Kosovës e kanë pastaj një pasqyrë shumë të qartë se kush importon dhe ne mund të gjejmë importuesin brenda. Pra, ne dimë saktësisht se kush është importuesi – kur e ka sjellë, çka ka sjellë, sasinë e saktë”, tha Stavileci.

Doganierët kosovarë aktualisht nuk mund të patrullojnë në pjesën veriore. Kjo, siç thuhet, për hir të ruajtjes së stabilitetit. Serbët lokalë kanë qenë edhe kundër vendosjes së patrullave lëvizëse të EULEX-it në pikat doganore. Disa kanë hedhur dyshimin se këto kundërshtime vinin nga njerëz që donin të përfitonin nga kontrabandimi i mallrave.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, pohon se që nga vendosja e EULEX-it, niveli i kontrabandës ka rënë dukshëm. Që nga vendosja e EULEX-it në dogana, por edhe që kur ka filluar punën grupi punues dhe aktivitetet shtesë, në bazë të statistikave, kemi një ulje të rasteve të kontrabandimit.

“Që nga vendosja e EULEX-it në dogana, por edhe që kur ka filluar punën grupi punues dhe aktivitetet shtesë, në bazë të statistikave, kemi një ulje të rasteve të kontrabandimit”, tha Beka.

Dogana e Kosovës vlerëson se nga mosfunksionimi i pikave doganore në Jarinë dhe Zubin Potok, deri më tani humbja ka arritur në rreth 25 milionë euro. Ndërkohë, nuk dihet ende se kur do të bëhen plotësisht funksionale këto pika.

Zyrtarë të komponentës për dogana të EULEX-it thonë se aktualisht doganierët e tyre po kryejnë punën pa pengesa në veri. Por, duke e cilësuar si vendim politik, këta zyrtarë nuk tregojnë se kur në pikat doganore në veri do të kthehen edhe doganierët kosovarë. /Radio Evropa e Lirë/