Site icon Telegrafi

Rriten rastet me grip, raportohen 20 vdekje në Kroaci

Në Kroaci, gjatë sezonës së gripit 2024/2025, deri më 26 janar 2025, janë raportuar 12,127 raste të gripit, nga të cilat 6,124 raste janë regjistruar në javën e fundit, njoftoi Instituti Kroat i Shëndetit Publik (HZJZ).

Rastet e gripit janë raportuar nga të gjitha qarqet, ndërsa 50 për qind e të gjitha rasteve në javën e fundit vijnë nga qarku Split-Dalmaci, qyteti i Zagrebit, si dhe qarqet Primorsko-Goranska, Varazdinska dhe Zagrebaçka. Shkalla më e lartë kumulative e raportimeve për grip për 100 mijë banorë është regjistruar në qarqet Karlovac dhe Varaždin.

Ndër rastet e raportuara, numri i sëmundjeve është më i lartë tek fëmijët parashkollorë dhe më e ulët tek personat mbi 65 vjeç, raporton index.hr.

Edhe pse gjatë javës së fundit është raportuar një numër më i madh i të sëmurëve krahasuar me të njëjtën periudhë në katër sezonet e mëparshme, përhapja e gripit mbetet brenda pritshmërive në krahasim me sezonet para pandemisë së COVID-19.

Sezoni i gripit zakonisht shoqërohet me të ashtuquajturin “tepricë vdekshmërie”, pra një rritje e numrit të vdekjeve krahasuar me periudhat jashtë sezonit të gripit.

Kjo ndodh sepse gripa shkakton më shpesh ndërlikime dhe vdekje te grupet e rrezikuara, si personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike, pavarësisht nga mosha. Është e vështirë të përcaktohet se sa njerëz vdesin drejtpërdrejt nga gripa ose, më shpesh, indirekt si pasojë e përkeqësimit të sëmundjeve ekzistuese ose komplikacioneve si pneumonia apo sepsa. Deri tani, gjatë këtij sezoni janë raportuar njëzet raste vdekjesh për shkak të gripit dhe komplikimeve të tij, njoftoi HZJZ.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Referuese për Gripin pranë Institutit Kroat të Shëndetit Publik, po vërehet një rritje e mëtejshme e përqindjes së testeve pozitive për virusin e gripit, duke arritur rreth 40 për qind të mostrave të testuara në javën e katërt të vitit 2025.

Tek rreth 60 për qind e rasteve pozitive është identifikuar virusi i gripit A, ndërsa pjesa tjetër është e lidhur me virusin e gripit B. Midis mostrave të subtipizuara pozitive për gripin A, mbizotëron ende nënvarianti A/H1N1pdm09, me raste sporadike të virusit A/H3N2. /elegrafi/

Exit mobile version