Telegrafi

Rriten rastet e zjarreve, por numër i vogël i zjarrfikësve e pa kushte të punës

Foto: Ilustrim/Arkiv

Pas temperaturave të larta, numri i zjarreve është rritur në vendin tonë, teksa ai i zjarrfikësve mbetet i vogël. Ata po vlerësohet se nuk mund t’i mbulojnë të gjitha rastet. E përveç kësaj, kanë edhe mungesë të mjeteve për shuarjen e zjarreve dhe të sigurisë.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka dhe kryetarët e komunave i bëjnë thirrje qeverisë që urgjentisht të krijojë një ligj që i trajton në mënyrë të dinjitetshme dhe të barabartë të gjithë zjarrfikësit, pasi askush nuk është duke marrë përgjegjësi në këtë drejtim.

Kryetari i zjarrfikësve, Muharrem Beka thotë për KosovaPress, se gjendja e tyre është alarmante dhe se asgjë nuk është duke funksionuar, teksa shton se nëse vazhdohet kështu nuk do të ketë motiv për punë.

“Çështja e shërbimit të zjarrfikësve është bërë e patolerueshme, kërkesat janë të kamotshme, gjendja është alarmante, sepse asgjë nuk po funksionon, dhe askush nuk është duke u marrë që të dilet prej kësaj situate…Numri i vogël i zjarrfikësve, jashtë çdo kriteri.

Shumica e komunave kanë dy apo tre zjarrfikës në një ndërrim, që është e papërballueshme…Kur kemi parasysh përgjegjësitë e institucioneve vërehen qartë se ka mangësi në menaxhim dhe plotësimin e kërkesave, përjashtim Prishtinën, pasi i ka përfunduar orët jashtë orarit, ndërrimin e natës, festat, por puna e vikendit nuk është e rregulluar aty, në disa tjera komuna po.

Mirëpo, problemi tash është çështja e rrezikshmërisë që qeveria ia ka ndërprerë zjarrfikësve dhe kompensimi i ndërrimit të natës, orëve jashtë orarit dhe festave zyrtare që disa komuna i paguajnë, disa tjera jo. Ne jemi dakorduar me Ministrinë e Punëve të Brendshme, që komunat të cilat nuk kanë buxhet t’i paguajnë, do të paguhen prej ministrisë, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje, jemi duke pritur. … Askush nuk merr përgjegjësi si punëdhënës, çdoherë duke ia hedh fajin komuna-ministrisë dhe anasjelltas”, thotë Beka.

Ai flet edhe për numrin në rritje të zjarreve.

“Është rrit numri enorm (i zjarreve) por edhe në vitet tjera, përafërsisht janë tetë deri në 10 mijë raste zjarri nivel vendi. Mirëpo kur kemi parasysh numrin e paktë të zjarrfikësve, mosha mesatare e shtyrë, mungesa e stafit, e pajisjeve të testuar ose mbrojtja, siguria në punë, asgjë këtu nuk vlen…Nëse vazhdon kështu nuk ka motiv për punë, më e dhimbshme është denigrimi që iu bëhet”, thotë ai.

Në anën tjetër, të shqetësuar me këtë gjendje të zjarrfikësve janë edhe kryetarët e komunave.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj thotë se me numrin aktual të zjarrfikësve është vështirë të mbulohen të gjitha zjarret që po shkaktohen.

“Kemi një sfidë, për shkak të temperaturave shumë të larta kemi problem me zjarre. Kemi numrin e vogël të zjarrfikësve dhe kështu, po mundohemi të jemi në terren me qytetarët në 24 orë, por e kemi të pamundur pasi kemi 4-5 zjarre brenda një kohë të shkurtër, dhe nuk dimë ekipet e zjarrfikësve ku të intervenojmë përpara…Nuk po mundemi të rrisim numrin pasi nuk kemi bazë ligjore të marrim punëtorë, janë edhe 4-5 punëtorë, por këtë punë duhet të kryejë Agjencioni i menaxhimit të emergjencave, sepse ata e bëjnë rekrutimin e stafit, jo ne. Me ligjet e reja që janë në fuqi e menaxhon dhe udhëheq Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave”, thotë Muharremaj.

Ai shton se kërkesat te institucionet përgjegjëse për rritjen e numrit të zjarrfikësve janë të shumta, porse pa përgjigje.

“(Kërkesa) Jo njëherë, por shumë herë, shumë herë kemi biseduar edhe me telefon, por deri tash nuk kemi rezultate pozitive”, shton Muharremaj.

Se ka mungesë të zjarrfikësve e thotë edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Ai teksa shprehet i shqetësuar me këtë gjendje, thotë se ende nuk është definitive çështja e zjarrfikësve.

“Jemi nga ato komuna që vuajmë nga numri i vogël i zjarrfikësve, dhe realisht edhe ai numër që është, në mesin e tyre kemi punonjës që kanë probleme shëndetësore dhe nuk mund të jenë të rregullt në orarin e punës. Në këtë aspekt çalojmë, sepse akoma nuk është definitive nëse statusi i zjarrfikësve do të kalohet në instanca qeveritare apo do të mbetet në komuna. Në këtë mëdyshje nuk kemi pas mundësi të shtojmë numrin e zjarrfikësve”, thotë ai. /kp/