Telegrafi

Rriten rastet e raportuara të dhunës gjinore dhe kërkesat për urdhra mbrojtës

Rastet e raportuara të dhunës gjinore në Kosovë si dhe kërkesat për urdhra mbrojtës kanë shënuar rritje gjatë viteve të fundit.

Kështu u tha sot në të gjeturat e Raportit për Vlerësimin Bazë të Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë: Perceptimet e Komunitetit dhe Palëve të Interesit”.

Dea Fetiu, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë tha se nga të gjeturat e këtij raporti del se gratë shpesh nuk kanë informacione se mund t’i kërkojnë të drejtat e tyre.

“Barrierat e raportimit ndër të tjera përfshijnë, mungesën e informacionit, stigmën sociale, mungesën e besimit në institucione, mungesën alternative, shkeljen e konfidencialitetit”, tha Fetiu.

Tjetër problem është se viktimat e dhunës shpesh detyrohen të kthehen në ambientet e dhunës.

Nga fokus-grupet nëpër komuna, disa nga faktorët kryesorë që çojnë në dhunë janë kushtet e këqija ekonomike, mentaliteti mbizotërues patriarkal, nivele të ndryshme arsimimi ndërmjet burrave dhe grave, praktikat e dobëta të raportimit mediatik të dhunës në baza gjinore që nuk e respektojnë të drejtën e tyre për privatësi.

Disa nga rekomandimet e dhëna gjatë prezantimit të këtij raporti janë fushata informuese dhe vetëdijesuese për dhunën, masa më të mëdha mbrojtëse për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe fokusimi në programet e rehabilitimit dhe riintegrimit të tyre. /kp/