Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se ndonëse kriminaliteti ka rënë gjatë kohës së pandemisë, është rritur numri i rasteve të dhunës në familje, por nuk është dhunë në mes të çifteve siç mendohet.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se dhuna në familje është rritur dhe nuk është dhunë vetëm mes bashkëshortëve por, dhunë në mes të anëtarëve të tjerë të familjes.
Kjo dhunë mund të ketë ardhur si pasojë e qëndrimit në shtëpi për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria dhe Instituti i Shëndetit Publik për ta parandaluar coronavirusin.
“Kemi pasur raste të dhunës në familje, sidomos në tre muajt e fundit. Mund të them që në bazë të analizave që jemi duke bërë, kur flasim për dhunën në familje njerëzit mendojnë se janë raste të dhunës në mes të bashkëshortëve por në shumë raste kemi pasur dhunë në familje në mes të anëtarëve të tjerë të familjes”. Ndoshta ka ndikuar edhe pandemia që janë detyruar të rrinë në familje. Ne i trajtojmë vazhdimisht varësisht prej rastit i trajtojmë por e theksoj se është një trend rritës i dhunës në familje”, ka thënë drejtori Qalaj.
Ai ka thënë se raste të rënda të kriminalitetit kanë ndodhur edhe gjatë pandemisë.
“Nëse i referohemi numrit të përgjithshëm është fakt që kemi pasur më pak raste mirëpo, kemi pasur raste të ndryshme edhe gjatë pandemisë. Kemi pasur raste mjaft të rënda. E dini që kemi pasur një vrasje e një tentim vrasje në rajonin e Gjakovës, një tentim vrasje në rajonin e Gjilanit, kemi pasur një vrasje këtu të QMI në mes Graçanicës e Lipjani”, tha ai.
Qalaj po ashtu ka treguar se ndonëse pandemi Policia, ka konfiskuar edhe narkotik të ndryshe.
“Kemi pasur konfiskim të narkotikëve edhe gjatë pandemisë. kemi pasur edhe aksidente fatale. Mirëpo në përgjithësi kemi pasur një numër më të vogël të rasteve”, shtoi ai.