Nuk kanë munguar polemikat në fitoren e Liverpoolit ndaj Tottenham Hotspurit që u vendos me një gol të shënuar nga Roberto Firmino.
Mirëpo, nuk kanë munguar situatat kundërthënëse për golin e realizuar, ndërkohë që trajneri i Spursave, Jose Mourinho, kishte deklaruar pas ndeshjes se është habitur me sistemin VAR pse nuk ndërhyri ta anulonte golin.
Topi në aksionin e golit u nis nga një rivënie anësore për Liverpoolin, ndërsa xhirimet treguan se në fakt kishte qenë Sadio Mane lojtari që e ka bërë prekjen finale, para se topi ta kalonte vijën. Që do të thotë se ishte rivënie anësore për Tottenhamin dhe jo për Redsat.
Në një prononcim për Sky Sports, legjenda e ‘Të Kuqve’, Jamie Carragher, ka pranuar se rivënia anësore duhej të ishte e Spursave.
“Jo, duhej të ishte rivënie anësore për Tottenhamin, por anësori është në anën tjetër të fushës, gjyqtari është prapa, gjithmonë është vështirë për t’u vendosur”, ka deklaruar Carragher.
Nga sistemi VAR u kontrollua për prekje të topit me dorë nga Jordan Henderson në ndërtimin e aksionit dhe u vendos se gjithçka ishte në rregull, porse Mourinho e kishte përmendur faktin që rivënia anësore ishte e Tottenhamit. /Telegrafi/
https://twitter.com/Livestream_102/status/1216205422601932800