Site icon Telegrafi

Rriten pagesat elektronike

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka njoftuar se zhvillimet në përmirësimin e kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe zhvillimet tjera në infrastrukturë, kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të pagesave përmes instrumenteve elektronike.

“Nga të dhënat statistikore për vitin 2017, vërehet rritje në numër dhe vlerë të kredit transfereve, të cilat paraqesin një alternativë për pagesa pa para të gatshme. Me rritje të dukshme të përdorimit janë karakterizuar edhe pagesat përmes instrumenteve elektronike siç janë: transaksionet përmes debit kartelave, kredit kartelave dhe e-bankingut, duke ndikuar në zvogëlim të pagesave në para të gatshme”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së raporton RTKlive.

Nëse krahasojmë vitin 2016 dhe 2017, atëherë mund të theksojmë se në vitin 2017 numri i transaksioneve me kartela është rritur për 9.5% ndërsa vlera e tyre ka një rritje prej 30.7%, duke vijuar me trendin rritës të vërejtur gjatë viteve të fundit.

“Gjithashtu, edhe transaksionet përmes e-banking janë rritur për 17.7%, në krahasim me vitin paraprak. Prirja gjithnjë e në rritje e përdorimit të e-banking lidhet ngushte edhe me përmirësimin e infrastrukturës, si dhe mundësive për t’u qasur në e-banking edhe përmes aplikacioneve në telefon mobil”, thekson raporti vjetor i BQK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version