Site icon Telegrafi

Rriten fondet për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në margjina të takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sot në Durrës ka zhvilluar takim me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.

Në takim, Haradinaj ka falënderuar presidentin Chakrabarti për përkrahjen e projekteve zhvillimore për Kosovën dhe projekteve në kuadër të Integrimit Ekonomik Rajonal, të financuara nga ana e BERZH.

Ai tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, që Kosovës i siguron perspektivë të qartë integruese në strukturat e Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj u njoftua nga presidenti Chakrabarti se në vitin e ardhshëm fondet për Kosovën, nga 70 milionë do të rriten në 120 milionë euro dhe do të fillojë realizimi i unazës së Prishtinës dhe projektet tjera infrastrukturore të prezantuara në shkurt në Samitin e Londrës që kanë të bëjnë me infrastrukturën e qyteteve të tjera të Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, duke vlerësuar progresin e Kosovës, tha se BERZH-i do të vazhdojë mbështetjen e projekteve të cilat ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Exit mobile version