Site icon Telegrafi

Rriten çmimet e prodhimit në Kosovë

Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Prodhimit në Kosovë, krahasuar me tremujorin e parë të viti 2018 me tremujorin e dytë u rrit për 1.2 për qind. Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, tremujori i dytë 2018”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas ASK-së, brenda një viti çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 1.7 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i çmimeve të prodhimit në Kosovë është më i lartë për 1.2 për qind ndërmjet tremujorit të parë 2018 dhe tremujorit të dytë 2018. Ngritje më të mëdha, sipas degëve të veprimtarive ekonomike, vërehen te prodhimi i metaleve me 8.6 për qind, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 3.1 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t me 2.1 për qind, prodhimi i pijeve me 2 për qind, prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj me 1.6 për qind, prodhimi i drurit dhe i prodhimeve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara me 1.5 për qind, prodhimet e gomës dhe të plastikës me 1.1 për qind, prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 0.9 për qind dhe prodhimet kimike me 0.1 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Agjencia e Statistikave thotë se rënia e çmimeve të prodhimit u neutralizua në përpunimin dhe prodhimin ushqimor.

“Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te përpunimi i prodhimeve ushqimore me 1.2 për qind, prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove me 0.5 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 0.4 për qind, prodhimi i mobilieve me 0.3 për qind, prodhimet minerale jo-metalike me 0.2 për qind dhe nxjerrja e xehes së metalit me 0.2 për qind”, vijon raporti.

Brenda një viti çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 1.7 për qind.

“Krahasuar me tremujorin e dytë me tremujorin e dytë 2017, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare prej 1.7 për qind. Ngritje më të mëdha, sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te: prodhimi i metaleve me 26.1 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 11.8 për qind, prodhimi i drurit, prodhimeve prej drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara me 6.8 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t. me 3.1 për qind, prodhimet kimike me 2.8 për qind, prodhimet e fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 2 për qind, prodhimet e gomës dhe të plastikës me 1.8 për qind, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 0.8 për qind, përpunimi i prodhimeve ushqimore me 0.8 për qind, prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjysmë-rimorkiove me 0.7 për qind, prodhimet minerale jo-metalike me 0.3 për qind dhe prodhimi i letrës dhe prodhimet prej saj me 0.2 për qind”, tregon ASK.

Ndërsa, ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te prodhimi i pijeve dhe energjisë elektrike.

“Ngritja u neutralizua me rënien e çmimeve te prodhimi i pijeve me 1.7 për qind, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 1.5 për qind, prodhimi i mobilieve me 0.6 për qind, nxjerrja e xehes së metalit me 0.3 për qind dhe prodhimi i lëkurës dhe prodhimeve prej saj me 0.1 për qind”, përfundon raporti. /Telegrafi/

Exit mobile version