Çmimet e prodhimit në sektorin industrial të Eurozonës u rritën me hapin më të shpejtë të 4 viteve të fundit gjatë muajit Tetor. Ky është lajmi i dytë i mirë për Bankën Qendrore Europiane gjatë kësaj jave.
Institucioni do të vendosë për të ardhmen e programit të blerjes së titujve javën e ardhshme. Zyra e statistikave të Bashkimit Europian njoftoi se, çmimet e prodhimit në fabrika u rritën me 0.8% në terma mujorë, ndërkohë që ranë me 0.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dy shifrat janë bindshëm mbi pritshmëritë e tregjeve dhe analistëve. Në muajin Shtator ndërkohë, çmimet e prodhimit u rritën me 0.1% në terma mujorë. Rritja gjatë Tetorit ndërkohë është më e larta me bazë mujore që prej Gushtit të vitit 2012.
Çmimet e energjisë, me 2.6% rritje janë zëri më i fortë i kësaj performance. Çmimet e prodhimit janë një indikator mjaft i saktë i ecurisë së çmimeve të konsumit. Inflacioni në eurozonë vijon ende të mbetet larg objektivit të bankës qendrore, pranë, por më poshtë se 2%. /Telegrafi/