Telegrafi

Rriten aksionet, investitorët më të sigurtë nga ekipi ekonomik i Obamës

Tregjet po ashtu mirëpritën zotimin e qeverisë për të marrë përsipër milarda dollarë kredi të këqija nga grupi bankar "Citigroup", dikur banka më e madhe amerikane.

Qeveria amerikane do t’i jape kësaj banke 20 milardë dollarë për ta ndihmuar të kapërcejë gjendjen e vështirë financiare. Vlera e aksioneve të "Citigroup" u rrit dje me gati 60 për qind, duke kapur shifrën e 5 dollarëve dhe 95 centëve. Aksionet e këtij grupi bankar humbën gati dy të tretat e vlerës javën e kaluar.

Falimentimi i "Citigroup", sipas analistëve, do ta kishte tronditur sistemin financiar. Kjo kompani, e cila është përfshirë fuqishëm në të ashtuquajturat kredi të siguruara, njoftoi kohët e fundit se do të eliminonte 55 mijë vende pune.

Treguesi industrial Dow Jones po kështu u rrit me 397 pikë dje dhe kapi vlerën 8 mijë e 443. Treguesi është rritur fuqishëm gjatë dy ditëve të fundit, duke rifituar një pjesë të vlerës së humbur gjatë 12 muajve të fundit.

Ndërkaq, dollari amerikan humbi gjatë ditës së djeshme, duke arritur vlerat 1.28 kundrejt Euros dhe 1.51 cent kundrejt Paundit britanik. Çmimi i arit u rrit gjithashtu me 21 dollarë, duke kapur vlerën 821 dollarë për 28 gramë. Çmimet e naftës pësuan gjithashtu rritje, duke kapur vlerat 54 dollarë e 50 centë për fuçi.