Telegrafi

Rriten 50 për qind eksportet kineze në shkurt

Sipas Pekinit, eksportet u rritën në afro 50 për qind, ose në thuajse 95 miliardë dollarë.Ky është një lajm i mirëpritur për udhëheqësit e Kinës. Rënia ekonomike globale çoi në rënie të kërkesave për mallra kineze vitin e shkuar.

Shumë fabrika u mbyllën dhe punëtorët u nxorën në rrugë.Këto shifra të fundit tregojnë se bota përsëri po blen mallrat e prodhuara në Kinë. Eksportet u rritën rreth 50 për qind në shkurt. Importet u rritën në një masë të njëjtë.

Por analistët thonë se këto shifra nuk janë ende aq mbresëlënëse sa duken.
Eksportet në vitin 2009 ishin kaq të ulëta, thonë ata, saqë dihej që ato do të shënonin rritje këtë vit.

Ata thonë megjithatë se rritja në shkurt i kalon parashikimet.Dhe shumë besojnë se makina eksportuese kineze është kthyer përsëri në binarët e saj. Megjithatë, në mesin e këtyre lajmeve të mira mund të ketë edhe një tendencë negative për Kinën.

Rritja e eksporteve mund të rrisë presionin ndaj Pekinit për të lejuar vlerësimin e monedhës së saj. Qeveritë dhe bizneset e huaja argumentojnë se një juan i zhvlerësuar që i bën më të lira eksportet kineze, po ndihmon rritjen e eksporteve të Kinës.