Po mendoja për tri-katër dijakritikat të cilat esencialisht e dallojnë identitetin tonë! Derisa me fqinjët e tjerë na dallon gjuha dhe shumëçka tjetër, kureshtja ime kishte të bënte me ne shqiptarët. Jemi apo nuk jemi një? ! Se si mu lidhën në një varg problemet me origjinë bimore, shtazore apo njerëzore si patatja, çimentoja dhe … rriqrat!
Pasi veç ra fjala, para dy javësh, më pickoi një rriqër. Shpëtova pa telashe të mëdha, sepse rriqra nuk paska qenë prej Malisheve. Rriqër e butë, më thanë! Prej Prishtine.
Nëse i kam kuptuar drejtë, mjekun, infermieret, madje edhe specialistët e fushës edhe rriqrat qenkan nda me zona operative. As KFOR-i, apo EULEX-i nuk po kanë mundësi me bë asgjë! Situata pak a shumë paraqitet si në veri të Kosovës. Kështu duken punët nga perspektiva qeveritare.
Unë në fakt, kisha ende dyshime për këtë, por kur u deklarua edhe roja te hyrja e klinikës, atëherë dilema më nuk kishte. “Diagnozën e saktë në QKUK ta cakton i pari roja”, po më thoshte një mik, pas krejt kësaj historie. Nuk të lëshon me hy pa ja treguar krejt historinë e familjes dhe të sëmundjes!
Shpeshherë situata është aq e qartë sa s’ka nevojë as me harxhua kohën e mjekut. Ta caktojnë diagnozën në derë. Nganjëherë edhe terapinë dhe barnatoren . Apo, te cili hoxhë me shkrua!
Nëse roja te dera të thotë se nuk ke asgjë, lirisht kthehu në shtëpi dhe…
“Prej nga ishte, rriqra”, më pyeti infermierja në QKUK, derisa po i sqaroja situatën. Të njëjtën pyetje ma bënë edhe mjekët në shtëpinë e shëndetit në lagje! Edhe specialisti më vonë! Si duket ishte pyetje shumë me rëndësi.
“Nuk e di”, u përgjigjesha ashtu në tym! “Nuk e mora në pyetje, rriqrën! Nuk zgjata llaf me të”!
Si të përgjigjesh në një pyetje e cila të zë kaq të papërgatitur. “Rriqrat e Prishtinës, të Llapit apo Gollakut janë më të buta”, po më thoshte infektologu, më vonë. “Nuk kemi pasur asnjëherë viktima… që nga paslufta. Ato të Malisheves janë ndryshe. I lexoni gazetat me siguri. Po na vdesin njerëzit në dorë, e s’po kemi çfarë të bëjmë”!
“Po, po, i thash, po i lexojmë”! Ndërkohë, më duhet ta pranoj se nuk e kisha krejtësisht të qartë: a po flisnin për rriqra apo për politikë!?
Por, ta kapim këtë temë, këtë mendësi, prej një niveli tjetër teorik , apo thënë më saktë retorik!
Të parafrazojmë Henry Fordin: “Ju mund të keni cilëndo ngjyrë që doni, derisa është e… e kuqe”! Në fakt ai fliste për të zezën! Ai këmbëngulte në nuancat e të zezës! Për automobilat! Ne po flasim për të kuqen! Po flasim për njerëzit!
Klasa politike e cila sot e dominon Kosovën, pozitë apo opozitë, në një mënyrë ose tjetrën u rrit me të kuqen. Në kuptimin ideologjik, por edhe pezhorativ. Në kuptimin e frymëzimit dhe në kuptimin e ndalesave. E kuqja në semafor dhe e kuqja në flamur! Një jetë e cila funksiononte përmes ndalesave dhe një jetë e cila funksiononte përmes militantizmit. Askush nuk na pyeste ne. Për me jetua, me ecë përpara, për me bë diçka duhej të hyje në rresht, në turmë, të merrje njërën nga nuancat e të kuqes.
Edhe në dashuri, e kuqja luante rol. Asgjë, pa një trëndafil të kuq!
Pastaj, ideologët dhe propaganduesit e kuptuan që përpos fjalëve të bukura dhe fuqisë represive, duhej të kishin edhe para. Sepse nuk mjaftonin vetëm dhuna dhe ndalesat. Kështu filluan të bëjnë para. Llogaritaret thuhet të kenë rrënuar edhe rendin e “zbritur nga Zoti”, feudalizmin. Kur Zoti u la anash dhe situatën e mori në dorë njeriu, me të drejtën e tijë legjitime, filloi të priste koka. Të kuqe, apo të zeza, varej se nga cila anë e barrikadës ishte.
Edhe elitat e ndryshme, te ne, ishin ngjyrosur në moshën e brishtë, me të kuqe! Kryesisht edhe sot e kësaj dite, edhe pse përplot antikomunizëm në gojë, ata shprehin mendësinë e njëjtë. E kuqja shpërthen fuqishëm, frymëzueshëm mbi të gjitha ngjyrat e tjera. Shprehen si komunistë edhe kapitalistët e rinj, të krijuar nën regjimin e kuq që po binte, apo këtë të riun që po lindte me vrull.
Ata të cilët kanë ardhur nga jashtë, të rritur e të shkolluar jashtë, dhe u ndeshën me udhëheqësit lokalë, arrogantë apo të mirë, por gjithsesi të lyer me njërën nga nuancat e të kuqes, u gjenden para një problemi serioz ! Ata u thyen, ose u vunë në shërbim të plotë të këtyre. Arsyeja është e thjesht. Ata nuk i solli në pushtet konkurrenca, por sistemi tradicional, rrjetet tradicionale të cilat në kushtet e mbetjes pa ideologji dhe pa infrastrukturë e morën dominimin me kompaktësinë dhe krejt vrazhdësinë e vet. Historikisht, këtyre sistemeve familjare, u konvenon një ide militante. E kuqja doli të jetë rezistente ndaj ndryshimeve. E heq nga lëkura dhe akomodohet nën lëkurë!
Ka disa që mendojnë se kjo klasë e burokratëve të rinj, e cila mbeti as mish as peshk, mbeti një strukturë tipike mafioze e cila nuk funksionon përmes votës po përmes familjes dhe se ajo detyrimisht duhet thyer! Pra, duhet bë pak a shumë revolucion. Sepse, kjo nuk siguron funksionimin e ligjit, por e bënë ligjin e vet. Ka të tjerë që mendojnë se duhet edukuar. Cila është zgjidhja?
A mund të edukohen udhëheqësit nga pasuesit e tyre?A duhet thyer sistemi për të u ribërë me njerëz krejtësisht të ri, apo duhet lëvizur levat me mekanizma të tjerë të cilët marrin parasysh gjendjen reale? Sepse edhe nëse ndërrohet struktura e qeverisjes, nuk do të ndërrohet aq shpejt mentaliteti dhe interesat që e sollën në qeverisje.
“Të punojmë me të kuqen”, po thoshte një piktorë! Ta zbusim fuqinë e saj dhe ta qojmë kah bukuria. Në fund të fundit, edhe e kuqja hoqi shumë derisa lëshoi rrënjë në neuronet e tona. Ka që duan neuronet me na i ngjyrosë jeshile. Ka që adhurojnë të zezën. Ka të kaltrën! Luftë e madhe në kokat tona të vogla! E pse të mendojmë ne kur ka kush mendon! Mos do ta zbulojmë rrotën. Pse me ndërrua ideologji tash? Cilado që të vjen në lagje e bluajmë!
Por, të kthehemi te rriqra. Nuk ishte e kuqe! Ishte e zezë. Me e heqë me dhëmbë apo me pincë ngadalë-ngadalë? Revolucion apo reforma? Në politikë tashmë askush nuk shahet më me nënë! Njëri-tjetrit, udhëheqësit politik ia përmendin ngjyrën… e kuqe! Njërën nga nuancat e së kuqes!