Ky ishte njëri nga top lajmet e Radio Televizionit të Kosovës të datës 10 janar 2012. Dhe u bë shumë mirë që u hoq kjo drojë, sepse që nga 2 janari e këndej dikush si me shaka apo me ndonjë qëllim të caktuar ose sa për të na e prishur idilin e festës dhe fishekzjarrëve, lansoi lajmin tronditës se Amerikanët po përgatiten të largohen nga Kosova.
Titulli i këtij lajmi ishte jo vetëm qesharak, por edhe tragjik njëkohësisht e po ashtu edhe shumë më tronditës se sa lajmi i parë. Kështu që sakaq mu kujtua thënia e Ismail Qemalit për fëmijët dhe popujt që flenë zbathur, bëjnë pallën e sefasë pa drojë sepse “gjithnjë do t’i mbrojë dikush”.
Pa dashur që të frikësojë ata që asnjëherë nuk janë mësuar të jetojnë pa tutorë, dhe pa dashur tua trazojë drojën e përgjumur atyre që moto jetësore e kanë vegjetimin e këpurdhës në bythën e lisit të madh, po shpalosi disa trende të sigurisë ndërkombëtare, rajonale dhe shtetërore:
E para: Tërheqja e ushtrisë Amerikane nga Iraku
Misioni Amerikan në Irak përfundoi në fund të vitit 2011. Qëllimet gjeostrategjike Amerikane në Lindjen e Mesme dhe posaçërisht në Irak ishin arritur, synime që në dukje ishin kontradiktore, por pse athua dukeshin të tilla? Pak para largimit Amerikan nga Iraku u eliminua Osama Bin Laden pastaj ndodhi pranvera Arabe, ku liderët dikur më të fuqishëm të shteteve myslimane po binin një nga një nga pushteti pa pasur shumë nevojë për aeroplanët dhe bombat amerikane, evropiane apo të NATO-s, por po preheshin nga druri i sëpatës së pyllit të tyre. Kështu Amerikanët vendosën të tërhiqeshin nga Iraku duke manifestuar një planifikim gjeostrategjik brilant njëkohësisht për tu këndellur dhe marrë veten për beteja të reja.
E dyta: A do të ndodh lufta Izraelito- Iraniane?
Irani duke ndjekur shembullin e Pakistanit drejt rrugës për tu bërë superfuqi nukleare nuk është e sigurt nëse po bënë blof apo vërtet po rrezikon rendin aktual botëror dhe bilancin gjeostrategjik ndërkombëtar duke kërcënuar kështu me një luftë me pasoja shkatërruese për tërë botën. Sidoqoftë Arsenalin bërthamor që në këtë luftë të mundshme do ta përdorte jo vetëm Izraeli si një superfuqi misterioze nukleare pastaj Irani dhe me gjasë edhe dy superfuqitë botërore (Amerika dhe Rusia), do të ishte me pasoja apokaliptike për mbarë njerëzimin në rruzullin tokësor. Pastaj përveç kësaj do të ndesheshin interesat e vendeve të fuqishme si Amerika, Rusia dhe të disa shteteve po ashtu të fuqishme Evropiane si: Gjermania, Franca dhe Anglia. Pra një luftë e tillë do të çrregullonte dhe ç’thurte ndarjen aktuale të botës sipas sferave të interesit dhe njëkohësisht do të rrezikonte sigurinë ndërkombëtare dhe botërore.
Kosova në vorbullën e trendeve të mundshme gjeostrategjike
Njohja e pamjaftueshme ndërkombëtare e Republikës së Kosovës, vështirësitë në shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e saj, interesat gjeostrategjike serbe në Kosovë, interesat gjeokonomike ruse në Ballkan, Evrozona e lëkundur nga kriza ekonomike me tendenca të shkapërderdhjes, marrëveshjet e paqëndrueshme Kosovë – Serbi, tendencat dhe kërkesat e një pjese opozitare të Republikës së Kosovës drejt një padëgjueshmërie qytetare me premisa anarkie, të gjitha këto favorizojnë aktivizimin e tërë planeve të vjetra dhe ato të hartuara rishtazi për referendumet, ndarjet dhe luftërat si mjeti i fundit serb, për të trazuar edhe njëherë Ballkanin, si gjithmonë gjatë historisë.
Referendumet, homogjenizimet ataviste, ndarjet, korrigjimet e kufijve ende janë të mbyllura në kutinë e Pandorës Ballkanike dhe serbët të vetëdijshëm dhe të frustruar, sepse dy shekujt sidomos shekulli i fundit nuk ju buzëqeshën aq shumë, dëshirojnë që me çdo kusht ta hapin këtë kuti e cila do të përfshinte me radhë: Sanxhakun, Vojvodinën, Kosovën Lindore, për të vazhduar në shtetet tjera fqinje si Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi. Duke pasë parasysh mundësinë e ndodhjes së kësaj katrahure Ballkanike dhe duke e parë se interesat gjeostrategjike dhe gjeoekonomike të fuqive të mëdha botërore janë drejtuar nga resurset energjetike të naftës, nuk mund ta marrim ndoshta si të pa qëllimtë dhe vetëm shaka lajmin e ftoftë të festës, në ditët e para të këtij viti se Amerikanët do të largohen së shpejti nga Kosova.
Por nuk është dilemë dhe çështje e vetme se a do të largohen Amerikanët nga Kosova apo jo? Ata megjithatë një ditë do të largohen pavarësisht vajit tonë, tani shtrohet pyetja se sa jemi ne të gatshëm dhe se sa hëpërhë po përgatitemi që më në fund një herë e përgjithmonë të qëndrojmë në këmbët tona si komb dhe se si do tu përgjigjemi dhe si do të reagojmë ndaj këtyre sfidave të mundshme?
Tani më ne, duhet përfundimisht të harrojmë vesin e të fërkuarit të duarve nga gëzimi kur folësit e Radio Televizioneve tona apo mediet e shkruara dhe ato elektronike, apo liderët partiakë na japin ndonjë lajm “shpëtimtar” të llojit mjeran të njohur ndër ne që nga vitet e 90-ta i cili lajm mundohet dhe ka për qëllim të na e heq frikën e robit me fjalët: “Rrini pa drojë, Amerikanët nuk do të largohen nga Kosova”.
(Autori është udhëheqës i Divizionit të Analizave dhe Planifikimit Emergjent në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)