Site icon Telegrafi

RrGK mirëpret aprovimin e Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes kësaj kumtese për media shpreh mirënjohje për angazhimin e Qeverisë së Kosovës, në veçanti të Ministrisë së Drejtësisë në adresimin e dhunës në baza gjinore përmes Projektligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale.

RrGK po ndjek nga afër këtë proces dhe jemi falënderues që qeveria po shtyn përpara ligjet duke u bazuar në kërkesat e Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, e cila tashmë njihet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dhe duke ndjekur Strategjinë Kombëtare pёr Mbrojtje nga Dhuna nё Familje dhe Dhuna ndaj Grave.

Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nuk duhet të tolerohet dhe masat ndëshkuese për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje duhet të jenë sa më të ashpra.

RrGK ka avokuar dhe vazhdon të avokojë për dënime meritore për kryesit e veprave penale të dhunës me baza gjinore. Sipas monitorimit tonë (p.sh., Nga Ligjet në Vepra), është konstatuar se gjykatat vazhdimisht japin dënime të ulëta për krime të tilla.

Ne shpresojmë se dënimet më të ashpra do të ndikojnë në uljen dhe mos përsëritjen e rasteve të tilla. Andaj, mirëpresim faktin se me këtë ndryshim parashihet që në rastet e veprave penale të dhunimit, sulmit seksual dhe dhunës në familje nuk do të zbatohen kufijtë e zbutjes së dënimeve.

RrGK gjithashtu mbështet klasifikimin e Testimit të Virgjërisë si vepër të re penale, duke marrë parasysh se ky test mjekësor cenon të drejtat themelore të njeriut.

RrGK gjithashtu vlerëson udhëheqjen e Ministrisë, së bashku me institucionet e tjera, për të shtyrë përpara ligje dhe politika të tjera esenciale për trajtimin e dhunës me baza gjinore. Një ndër to është edhe iniciativa në bashkëpunim me Institutin e Forenzikës dhe me ne si pjesë e Grupit Punues për zhvillimin e Protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

Ne kërkojmë gjithashtu përkrahjen e Ministrisë për ndryshimet e planifikuara për Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, ligj ky që pritet të rregullojë shërbimet adekuate për viktimat e dhunës me baza gjinore dhe dhunës në familje dhe përgjegjësitë e institucioneve relevante.

Shpresojmë se të gjitha këto ndryshime të ligjeve dhe politikave do të aprovohen në mënyrë që buxheti për zbatimin e tyre të përfshihen në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2023.

Gjithashtu, shpresojmë që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do mbështesë ligjet dhe politikat relevante ekzistuese si dhe ato të planifikuara për adresimin e dhunës me baza gjinore me alokim të mjaftueshëm të fondeve për përmbushjen e tyre.

RrGK mbetet partnere dhe mbështet çdo iniciativë të Qeverisë për luftimin e dhunës me bazë gjinore duke shpresuar se politikat dhe ligjet do përkthehen nё veprime konkrete me qёllim tё mbrojtjes së grave dhe vajzave nё Kosovё.

Exit mobile version