Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u informua nga mediat për një deklaratë të thënë nga Hajdar Beqa, duke komentuar lëvizjet politike të Mimoza Kusari – Lila, të cilin ai në një moment e quan “prostitutë politike”.
RrGGK e konsideron këtë deklaratë absurde dhe shumë ofenduese për të gjitha gratë dhe vajzat e Kosovës, sidomos për gratë në politikë dhe vendim-marrje.
Deklarata të tilla, e që kohëve të fundit nuk janë të pakta, vetëm e përforcojnë diskriminimin ekzistues social, politik dhe ekonomik gjinor në Kosovë. RrGGK e konsideron të papranueshme tërheqjen e paraleleve në mes të dështimeve në negociata dhe të qenurit grua.
“RrGGK dëshiron të i rikujtoj z. Beqa që shumë prej figurave më aktive, më të suksesshme dhe më të palodhshme në sferën politike të Kosovës janë gra. Gra, që kanë qenë pozitë dhe opozitë, në nivel lokal dhe qendror, në pozita vendim-marrëse, të cilat punojnë palodhshëm për të mirën e qytetarëve. Këto gra në politikë njëkohësisht ballafaqohen me diskriminim gjinor dhe gjuhë seksiste çdo ditë, dhe deklarata të tilla ofenduese vetëm e fuqizojnë dhe e riprodhojnë këtë diskriminim”, thuhet në deklaratë.
RrGGK kërkon nga Beqa që të kërkoj falje për deklaratën ofenduese ndaj Mimoza Kusari – Lila, duke dënuar rëndë këtë gjuhës seksiste, si dhe çfarëdo lloji të justifikimit të diskriminimeve të tilla gjinore që shkelin ligjet e Kosovës.
“Me këtë deklaratë, Hajdar Beqa ka shkelur Ligjin kundër Diskriminimit (2015) si dhe Ligjin për Barazi Gjinore (2015). Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të grave dhe burrave në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fusha të tjera të jetës shoqërore”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/