Site icon Telegrafi

Rrëzohet raporti buxhetor i Komunës së Prishtinës, nuk e votuan edhe disa asamblistë të VV-së

Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka bërë të ditur se raporti financiar për tremujorin e katërt i Komunës është rrëzuar me 33 vota.

Madje, përmes një postimi në Facebook, Havolli, raportin në fjalë e ka quajtur skandaloz, pasi që sipas tij nuk i përmbushte as kërkesat minimale të kërkuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Ishte aq i dobët sa që materia e tij nuk ia vlente të diskutohej”, ka shkruar Havolli, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se ai në emër të LDK-së ka paraqitur edhe vërejtjet dhe shqetësimet mbi këto dështime.

“Paaftësi totale të shkruarjes së një raporti financiar. Po ashtu, paaftësi totale të planifikimit. Asnjë nga titujt buxhetor nuk është realizuar sipas planit, përveç shpenzimeve të drekave zyrtare e lluksit, që ishte realizuar 100%. Paramendo, investimet kapitale, si kategoria më e rëndësishme buxhetore ka realizim prej vetëm mbi 50% në Prishtinë”, ka shkruar tutje Havolli.

Ndërkohë mediat kanë raportuar se raportin në fjalë nuk e kanë votuar as asamblistët e Vetëvendosjes, parti nga e cila vjen edhe kryetari Shpend Ahmeti.

Madje, siç raportohet më tej, i pari që kundërshtoi këtë raport ishte asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani.

Ai citohet të ketë thënë se raporti i sjellë nga Drejtoria e Financave nuk është i plotë pasi në shumë raste mungojnë arsyetimet dhe shpjegimet për shpenzimet. /Telegrafi/

Exit mobile version