Telegrafi

Rrëzohet një aeroplan transportues i ushtrisë ruse, brenda tij gjendeshin 15 persona – publikohen pamjet që pretendohet se shfaqin momentin e përplasjes

Një aeroplan ushtarak rus për transportim mallrash Il-76 është rrëzuar në rajonin Ivanovo të Rusisë.

Siç raporton Sky News, ky lajm është konfirmuar nga ministria ruse e Mbrojtjes, transmeton Telegrafi.

Brenda këtij aeroplani ishte tetë anëtarë të ekuipazhit dhe shtatë pasagjerë, kurse rrëzimi i fluturakes ndodhi kur njëri nga motorët u përfshi nga zjarri gjatë ngritjes në ajër.

Deri më tani nuk janë dhënë detaje për viktimat apo dëmet materiale. E incidenti ka ndodhur rreth orës 12.

Video të shumta që po qarkullojnë në mediat sociale, pretendohet se shfaqin rrëzimin e aeroplanit në rajonin Ivanovo, që shtrihet në verilindje të Moskës.

Disa video tregojnë aeroplanin e përfshirë nga zjarri, që dukej qartë se zjarri fillimisht kishte shpërthyer në njërin prej motorëve.

Në të tjerat duket tymi i zi duke u ngritur në qiell në vendin ku është rrëzuar fluturakja gjigante ruse. /Telegrafi/