Telegrafi

Rrëzohet helikopteri ushtarak në një zonë të banuar në Japoni (Foto/Video)

Një helikopter i ushtrisë japoneze është rrëzuar në një zonë të banuar, duke i vënë flakën një shtëpie mbi të cilën përfundoi.

Videoja amatore e filmuar nga vendin e ngjarjes, shfaq helikopterin dhe shtëpinë e kapluar nga zjarri afër një shkolle në Kanzaki, ku edhe u rrëzua helikopteri gjatë një ushtrimi, transmeton Telegrafi.

Drejtori i shkollës ka njoftuar se asnjë nxënës nuk është lënduar, ndërsa dëmet materiale ende nuk janë përllogaritur por vlerësohen të jenë të mëdha.

Sipas policisë japoneze, brenda shtëpisë ku është rrëzuar helikopteri jetonin katër persona, të cilët mrekullisht kanë shpëtuar.

Ndërkaq, një grua 78-vjeçe që jeton afër vendit ku është rrëzuar helikopteri, ka deklaruar se në momentin që helikopteri po i afrohej tokës ajo po e shëtiste qenin.

“Shikova lart pasi vërejta se një helikopter po binte në tokë me shpejtësi të madhe, dhe në momentin që u përplas në shtëpi krijoi një shpërthim shumë të fuqishëm”, ka shtuar ajo.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Itsunori Onodera, ka njoftuar se helikopteri prodhim i Boeing Co është rrëzuar gjatë një ushtrimi ushtarak. /Telegrafi/