Telegrafi

Rrëzimi i helikopterit, vijon puna për nxjerrjen e tij nga liqeni i Shkodrës

Ka nisur operacioni për nxjerrjen e helikopterit të rrëzuar 200 m larg bregut të liqenit të Shkodrës, në fshatin Grizhë të Malësisë së Madhe.

Gjatë ditës së djeshme pas nxjerrjes së trupave të dy pilotëve që humbën jetën, nisja e errësirës e ka bërë të pamundur vijimin e punës për nxjerrjen e helikopterit dhe është vendosur të fillonte puna pikërisht sot në orët e para të mëngjesit, ku do tentohet që deri në mesditë të bëhet e mundur nxjerrja e tij në breg dhe më pas do të nisin hetimet e plota për shkaqet që çuan në rrëzimin e tij.

Paralelisht prokurorët e Prokurorisë së Shkodrës kanë vijuar hetimet dje dhe sot në vendin e ngjarjes, të cilët së bashku me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes do të kryejnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit.

Pritet të jetë një proces i vështirë pune. Pas hetimeve paraprake në vendngjarje, helikopteri do të transportohet drejt Ministrisë së Mbrojtjes për hetime të mëtejshme. /Telegrafi/